Pavarësisht rrezikut të vazhdueshëm nga tërmetet, qasja e qeverive në Shqipëri ndaj këtij rreziku nuk ka ndryshuar shumë përgjatë dekadave, si në komunizëm ashtu edhe tani.
Profesori i sizmologjisë, Shyqyri Aliaj, tha në emisionin “Open” në T.Ch se edhe gjatë periudhës së komunizmit, ashtu si sot, nuk është marrë fillimisht në konsideratë harta e sizmologjisë e përgatitur prej tyre.
“Harta e ’56-ës u mor parasysh pas tërmetit të ’79-ës. Atëherë vajti te kryeministri i kohës, Mehmet Shehu, për t’u zëvendësuar me hartën e vjetër”, tregoi Aliaj.
Profesor Shyqyri Aliaj, së bashku me tre kolegë të tjerë, Eduard Sulstarova, Siasi Koçiu dhe Betim Muço, prezantuan në vitin 2013 një hartë të re sizmike dhe i bënë thirrje qeverisë që të azhurnonte hartat e reja në standardet kombëtare në sektorin e ndërtimit për shkak se tani po ndërtohen pallate shumëkatëshe mbi rekorde ligjore të vjetra.
Pavarësisht se kjo hartë iu ofrua qeverisë nga profesoret e nderuar, ajo nuk u mor parasysh.
Aliaj shpreson se kjo hartë e re, ashtu si në komunizëm, do të merret tani parasysh, pas tërmetit të 26 nëntorit.
I pyetur se sa kohë duhet që të përsëritet një tërmet i ngjashëm me atë të 26 nëntorit, profesor Aliaj deklaroi: “Duhet një kohë e gjatë për të tundur dy kontinentet, të paktën një shekull. Kjo tani është e provuar”.