Nuk janë të rralla rastet kur punëtorët dërgohen me urgjencë në spital për shkak të lëndimeve që marrin në vendet e tyre të punës. E një rast i tillë ka ndodhur sot ne Prizren, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës së Spitalit Rajonal në Prizren kanë bërë me dije se një 55-vjeçar është dërguar atje në gjendje të rëndë si pasojë e lëndimeve që kishte marrë në vendin e tij të punës.
Sinjali mëson se derisa ai ishte duke punuar punë ndërtimore në një objekt në rrugën ‘Rezistenca e Vrrinit’, ka rënë nga kati i dytë me ç’rast ka pësuar lëndime të rënda trupore.
Për shkak të natyrës së lëndimeve, 55-vjeçari është transferuar me urgjencë për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, ku edhe po vazhdon trajtimin e mëtutjeshëm mjekësor.
Ndërkohë Policia ka dalë në vendin e ngjarjes ku ka kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit e po ashtu është intervistuar edhe kolegu i viktimës i cili ka treguar se si ka ndodhur ngjarja.
Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë’.