image Përfshihet nga zjarri Spitali në Tiranë, evakuohen pacientët - s'ka të lënduar

Shqipëri

Përfshihet nga zjarri Spitali në Tiranë, evakuohen pacientët – s’ka të lënduar

news image

Bodrumi i Urgjencës së re në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë është përfshirë nga zjarri mëngjesin e kësaj të diele. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:30 në katin -1 të ndërtesës.

Menjëherë në vendin e ngjarjes ka shkuar policia dhe në bashkëpunim me forcat zjarrfikëse kanë bërë evakuimin e stafit mjekësor dhe pacientëve.

Policia njoftoi se nuk ka pasur persona të lënduar si pasojë e kësaj ngjarje. Zjarri është fikur nga forcat zjarrfikësve dhe tashmë ka nisur puna për të zbuluar rrethanat e kësaj ngjarje.

Policia e Shtetit tha paraprakisht se shkak është bërë një shkëndijë elektrike, megjithatë detaje të tjera pritet të dalin në vijim.

“Më datë 11.02.2024, rreth orës 05:30, në Rrugën e Dibrës, dyshohet se si pasojë e një shkëndije, ka rënë zjarr në katin -1, te urgjenca e re. Shërbimet e Policisë në bashkëpunim me forcat zjarrfikëse, menjëherë kanë bërë evakuimin e stafit mjekësor dhe pacientëve. Zjarri është fikur dhe si pasojë e tij nuk ka persona të dëmtuar. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”, njoftoi policia.

Në një deklaratë për mediat, ka dalë edhe drejtoresha e Spitalit, Albana Fico.

Ajo  tha se të gjithë pacientët janë evakuuar dhe aktualisht ndodhen në ambiente të tjera të QSUT-së, ku edhe po marrin trajtimin normalisht. Fico siguroi familjarët se asnjë prej pacientëve nuk ka pasur përkeqësim të gjendjes shëndetësore.

“Ka qenë një efekt në një dhomë teknike. Gjithë grupi teknik ka nën kontroll çdo lloj elementi. Është një dëm i kufizuar vetëm në një dhomë teknike”, tha ajo.

ajo deklaroi gjithashtu se nuk ka probleme në dhomën e imazherisë, ndërsa theksoi se ky spital ka planin e vet emergjent i cili “sot u testua me sukses”.

“Spitali qendror trajton rastet më të rënda. Shërbimet kanë marrë masa përfshirë edhe reanimacionin. Pacientët i kemi lëvizur brenda QSUT-së. Në kuadër të emergjencave, QSUT ka planin e emergjencës, mbase nuk deshëm ta testonim sot, por u testua me sukses”, shtoi ajo.

/GazetaSinjali/