image Priten ndërprerje të ujit në Prishtinë, Obiliq dhe Drenas

Kosovë

Priten ndërprerje të ujit në Prishtinë, Obiliq dhe Drenas

news image

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka paralajmëruar ndërprerje të detyrueshme të ujit gjatë ditës së sotme. Shkyçjet janë paralajmëruar në Prishtinë, Obiliq dhe Drenas, shkruan Gazeta Sinjali.

Në njoftimin për media theksohet se si pasojë e reshjeve të dendura të shiut dhe borës këto ditë, janë rritur skajshëm rrjedhjet sipërfaqësore në zonat fushore ku të njëjtat kanë përfunduar te kanali i Ibër Lepencit, kanal prej të cilit merret uji i papërpunuar për t’u trajtuar pastaj për pije (FPU Shkabaj). 

“Si shkak i kësaj, kemi sërish rritje të turbullirës në atë nivel që e bën të pamundur trajtimin e ujit për pije konform standardeve dhe teknologjisë që posedojmë, por edhe për ruajtjen e stabilimenteve. Me qëllim që të ruajmë kualitetin e ujit për pije (me ç’rast e kemi edhe rekomandim nga IKSHPK-ja ), jemi të detyruar të ndërpremë furnizimin me ujë të pijshëm për Fushë-Kosovën dhe lagjen “Kalabria ” në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e KRUP-it.

Përveç ndërprerjes së detyrueshme të furnizimit me ujë të pijshëm për këto dy zona, ndërprerje do të kenë edhe Obiliqi dhe Drenasi.

Por për shkak që të bëjmë sado pak shpërndarje të barabartë të ujit, kemi bërë edhe alternative tjera teknike për furnizim. Në momentin që kushtet lejojnë që uji të trajtohet dhe të garantohet cilësia e duhur pas trajtimit, ne do ta rikthejmë gjendjen normale me trajtim dhe furnizim, me ç’rast në këtë situatë të rënduar nga vërshimet ju lusim për durim deri në stabilizim të gjendjes, ngase situata e krijuar nga natyra nuk varet nga ne”, thotë tutje kompania.

/Gazeta Sinjali/