Policia e Kosovës ka njoftuar se mbrëmë rreth orës 21:00 në rrugën “Fahri Fazliu” në Prishtinë, ka arrestuar një person të dyshuar për veprën penale “dhënie e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale”, raporton Gazeta Sinjali.
Sipas raportit 24-orësh të policisë, i dyshuari po bartte me makinë një person të kërkuar nga policia, andaj nuk ishte ndalur në pikë kontroll, por kishte vazhduar vozitjen.
Ai ishte arrestuar vetëm pas një kohe kur policia ka arritur ta ndalë.
Policia njofton se i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.
“Rr. Fahri Fazliu, Prishtinë 31.10.2020 – 21:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull Kos. pasi që i njëjti nuk iu është ndalur policisë dhe se pasi që të njëjtin pas një kohe ka arritur ta ndal policia i dyshuari ka deklaruar se në veturë e ka pasur një të dyshuar mashkull Kos. i cili ka pasur urdhër arrest. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit i cili rekomandon që i dyshuari të dërgohet në mbajtje për 48 orë”, thuhet në raportin e policisë./Gazeta Sinjali/