Rastet e dhunës në familjet kosovare po vazhdojnë të rriten, ndërkohë që çdo ditë e më shumë gratë janë ato që po përjetojnë dhunë fizike e psikike nga bashkëshortët e tyre, të cilët kanë frikë t’i denoncojnë në Polici, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur në një familje në rrugën “Leka i Madh” në Prishtinë para dy ditësh, por është denoncuar tek dje nga një grua, e cila e ka raportuar bashkëshortin e saj, për dhunën që ka ushtruar ndaj saj.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku para hetuesve ka deklaruar se rasti ka ndodhur pasi gruaja nuk e ka marrë lejen dhe pëlqimin nga ai për të shkuar te familja e saj.
Në anën tjetër, bazuar në deklaratën e viktimës, u kuptua se ajo është larguar nga shtëpia si pasojë e dhunës sistematike që burri ka ushtruar ndaj saj.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i njëjti të ndalohet për 48 orë, nën dyshimet se ka kryer veprën penale “Dhunë në familje”.