Matësi për cilësinë e ajrit në qendër të Prishtinës ka treguar se në kryeqytet aktualisht ajri është i ndotur, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas matjeve të fundit, ajri në qendër të qytetit është AQI i ndotur PM2.5, ku në këtë rast të është paraqitur ngjyra e kuqe që do të thotë se ajri është i pashëndetshëm.
Po ashtu, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë kishte instaluar një monitorues të cilësisë së ajrit për ta matur ndotjen në ajrin e Prishtinës, matjet e të cilit janë në dispozicion të publikut.
Matësi i cilësisë së ajrit mat sasinë e grimcave në ajër, duke përfshirë pluhurin, pluhurin e dheut, blozën, tymin dhe pikëzat e lëngëta në 2,5 mikrona (PM2,5) e më pak, të matura në mikrogram për metër kub.
Grimca të tilla mund të jenë rezultat i lirimit të gazrave nga veturat dhe termocentralet apo edhe në rast të ngjarjeve si djegia e pyjeve dhe mund të mbesin pezull në ajër për një kohë të gjatë.
Grimcat e kësaj madhësie, p.sh. PM2,5 (1/30-ta e diametrit mesatar të fijes së flokut së njeriut), paraqesin rrezikun më të madh për shëndetin.
Kërkimet shkencore kanë gjetur lidhjen mes ndotjes afatgjate me grimca – sidomos me grimca të imëta – dhe problemeve shëndetësore serioze sikurse janë sëmundjet e zemrës dhe mushkërive./Gazeta Sinjali/