Kompensimi i shpenzimeve të udhëtimit u bë temë diskutimi në opinionin publik që kur u publikuan kompensimet që morën disa deputetë.
Ndonëse kjo rregullore kishte hyrë në fuqi nga viti 2011, në mesin e përfituesve kishte edhe deputetë të cilët jetonin në Prishtinë dhe megjithatë kishin marrë para nga buxheti i shtetit për shpenzimet e udhëtimit për në punë, shkruan Gazeta Sinjali.
Në mesin e këtyre emrave qëllon të jetë edhe presidentja e tanishme e vendit, Vjosa Osmani, e cila që nga viti 2012 jeton në Prishtinë.
“Unë, bashkëshorti dhe dy vajzat tona jetojmë në një banesë njëdhomëshe në Prishtinë që nga viti 2012 kur kemi krijuar familjen tonë, banesë kjo e cila as për së afërmi nuk i plotëson kushtet bazike për një familje 4 anëtarëshe…”, kishte shkruar Osmani në gusht të 2020-ës.
Në vitin kur u miratua rregullorja, 2011, Osmani përfitoi 380 euro për muajt dhjetor – nëntor.
Ndërkaq, në vitin 2012, kur ka konfirmuar që është zhvendosur në Prishtinë, ajo është kompensuar me hiq më pak se 1 mijë e 789 euro.
Edhe në vitin pasues, 2013, për shpenzimet e udhëtimit, ajo mori 1 mijë e 240 euro.
Ndërkaq, në vitin 2014 përfitoi 520 euro.
Nga kjo e drejtë, Osmani hoqi dorë në vitin 2015, nga kur nuk mori më asnjë cent për udhëtimin e saj për në punë.
Që nga viti 2011 e deri më 2021, deputetët e Kuvendit u kompensuan mbi 1 milion euro nga buxheti i shtetit për shpenzimet që bënë për të udhëtuar deri në Kuvend./GazetaSinjali/