Një gjykatë në Surinami e ka shpallur fajtor presidentin e këtij shteti, Desi Bouterse, për vrasjen e 15 kundërshtarëve politikë në vitin 1982 pas një puçi. Politikani që ka mbizotëruar në historinë e re të ish-kolonisë së Holandës u dënua me 20 vjet burgim.
Pas këtij vendimi, partitë opozitare në Surinami bënë thirrje për dorëheqjen e presidentit, i cili në momentin e shqiptimit të dënimit ndodhej në Kinë për një vizitë zyrtare.
Nënpresidenti i këtij vendi bëri të ditur se presidenti Bouterse pritet të kthehet në atdhe të shtunën ose të dielën dhe se do ta anulojë vizitën e planifikuar në Kubë. Ai tha se është në kontakt me kreun e shtetit dhe se e ka thirrur një takim emergjent të partisë në pushtet.
Bouterse e kishte udhëhequr Surinamin në vitet e tetëdhjeta si shef i një qeverie ushtarake, ndërsa ishte kthyer në pushtet përsëri në vitin 2010 dhe më vonë u rizgjodh president për një mandat tjetër pesëvjeçar.
Në vendimin ndëshkues të gjykatës thuhet se presidenti i tanishëm e kishte organizuar operacionin e rrëmbimit dhe vrasjes së 15 kundërshtarëve të qeverisë së tij. Ky operacion ishte kryer nga ushtria dhe në mesin e personave të vrarë kishte avokatë, gazetarë dhe profesorë.
Vetë presidenti Bouterse i ka mohuar vazhdimisht këto akuza dhe ka të drejtë që ndaj vendimit të gjykatës të paraqesë ankesë brenda disa ditësh.