Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, tha se nuk është i kënaqur me procesin e integrimit evropian të vendit të tij pasi që negociatat për anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian (BE) po fillojnë tani, 17 vjet pas dhënies së statusit kandidat.
“Bashkimi Evropian praktikisht na ka harruar dhe me një sërë shantazhesh ndërkohë, falë Zotit, në njëfarë mënyre arritëm të bënim një lloj kompromisi me Republikën e Bullgarisë, me ndihmën e presidencës franceze dhe të hapnim negociatat. Mirëpo, nëse shikoni prapa, ne e kemi statusin e kandidatit që nga viti 2005, dhe nëse po filloni negociatat vetëm tani, askush nuk mund të thotë se kemi qenë shumë të suksesshëm në këtë drejtim”, tha Pendarovski në një intervistë për agjencinë Anadolu.
Duke theksuar se pritja nuk është rezultat i mungesës së reformave, por i pengesave të shumta, presidenti maqedonas tha se disa vende evropiane nuk kanë qenë të interesuara për rajonin e Ballkanit.
“Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova janë shtete absolutisht të harruara, Kosova nuk mund të marrë liberalizimin e vizave. Çfarë entuziazmi ju dëshironi në atë popullatë, doni që ata të jenë në favor të Bashkimit Evropian?!“, tha Pendarovski
Duke vënë në dukje se Mali i Zi dhe Serbia kanë dhjetë vjet që negociojnë për anëtarësim në BE, ai tha se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë në pritje të përparimit drejt Bashkimit Evropian.
Si rezultat i gjithë kësaj, tha Pendarovski, të rinjtë nga i gjithë Ballkani po largohen, duke shtuar se asnjë vend në rajon tani nuk ka pothuajse aq banorë sa kishte 20-30 vjet më parë, transmeton gazeta news.