Presidenti i Çekisë, Milos Zeman ka rezultuar pozitiv në testin për COVID-19 dhe është rikthyer në spital të enjten, vetëm disa orë pasi u lirua pas më shumë se gjashtë javësh trajtimi për një gjendje të paspecifikuar të mëlçisë.
Milos Zeman, 77 vjeçar, është vaksinuar tre herë dhe mjekët e spitalit kanë thënë se ai aktualisht nuk ka shfaqur simptoma.
Shtrimi në spital do të thotë se Zeman për momentin nuk do të emërojë si kryeministër liderin e opozitës së qendrës së djathtë Petr Fiala, gjë që ishte planifikuar për të premten, raporton Reuters, transmeton Gazeta Sinjali.
“Programi i presidentit do të pezullohet në pritje të trajtimit të COVID-19,” tha zyra e tij në një deklaratë.
Ai do të emëronte si kryeministër liderin e qendrën së djathtë Fiala të premten, pasi që kishte thënë se do të respektonte rezultatin e zgjedhjeve me emërimin e kabinetit që do të pasojë më vonë.
Ndërkohë, Republika Çeke ka regjistruar më shumë se dy milionë raste dhe 32 mijë e 523 vdekje të lidhura me COVID-19.