Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj nuk po arrin ta shtrijë autoritetin e tij tek zyrtarët policorë në vend.
Vendimi që kishte proklamuar në fillim të mandatit për të vënë disiplinë në policinë e Kosovës, po sfidohet seriozisht nga zyrtarët policorë.
Më 5 tetor të vitit të kaluar, Qalaj përmes një vendimi i kishte ndaluar zyrtarët policorë që t`i frekuentojnë kafenetë gjatë orarit zyrtar të punës.
“Dua të mbahem mend për disiplinën që do ta sjellë në Policinë e Kosovës. Asnjë polic të mos qëndrojë në kafiteri”, kishte thënë Qalaj në një intervistë televizive.
Një vit pas, zotimi për disiplinë i kreut më të lartë të policisë po shpërfillet nga policët, madje përmes ekspozimit të fotove në publik.
Një grup zyrtarësh policorë në Suharekë, kanë festuar përvjetorin e 20-të të policisë,me raki e duhan, gjatë detyrës zyrtare, shkruan Gazeta Sinjali.
Fotoja është shkrepur më 6 shtator në ambientet e një restoranti të një pike karburanti në Sukarekë.
Rreshterja Lindita Rexhepaj ka postuar foton në profilin e saj në facebook,(siç shihet më poshtë) me mbishkrimin “20 Vjetori i Policis se Kosoves”.
Gazeta Sinjali ka identifikuar përmes një sinjalizuesi emrat e zyrtarëve policorë të përfshirë në këtë festim të pazakontë.
Krahas rreshteres Rexhepaj, në foto shihen edhe kapiten Haxhi Kabashi dhe policët Bardhyl Gashi dhe Suzana Arifaj.
Gotat e rakisë me të cilat policët kanë ngrehur dolli, janë të vendosura pranë zyrtarit policor Bardhyl Gashi dhe zyrtares policore, Syzana Arifaj.
Përveç kësaj, policët shihen duke pirë duhan në ambient të mbyllur në kundërshtim me ligjin kundër duhanit i cili nuk gjeti zbatim në Kosovë, përkundër premtimeve e gjobave të paralajmëruara.
Kjo nuk është hera e parë që policia shpërfill vendimin e drejtorit të përgjithshëm të Policisë.
Ditë më parë një Sinjalizues ka raportuar në Gazetën Sinjali sesi dy patrolla, njëra prej të cilave e njësisë së trafikut ishin parë duke pirë kafe në një pikë karburanti, madje policët ishin liruar nga pagesa. /Gazeta Sinjali/