image Prapë probleme me rrymë në Prishtinë: KEDS-i ia lë fajin KOSTT-it, këta të fundit s’përgjigjen

Kosovë

Prapë probleme me rrymë në Prishtinë: KEDS-i ia lë fajin KOSTT-it, këta të fundit s’përgjigjen

news image

Ditëve të fundit qytetarët e Prishtinës janë duke u përballur me mungesë të energjisë elektrike në vendet e tyre si pasojë e punimeve dhe reduktimeve nga ana e KEDS-it dhe KOSTT-it, shkruan Gazeta Sinjali.

Si rezultat i këtyre, në shumë lagje të kryeqytetit nuk kishte rrymë, madje disa prej tyre, kishin mungesë të saj në më shumë se 30 orë.

Ndërsa, tani së fundmi, Gazeta Sinjali mëson se Lagjja Mati 1 në Prishtinë është duke u përballur me këtë problem.

Disa banorë të kësaj lagje po ankohen se duke pasur parasysh temperaturat e ulëta në këtë kohë, janë duke qëndruar në të ftohtë.

Për këtë rast, nga KEDS-i për Gazetën Sinjali kanë thënë se këto probleme i takojnë KOSTT-it dhe jo kompanisë së tyre.

“Po, trafot e KOSTT-it kanë ra, varet prej KOSTT-it për sa do të rregullohet”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Tutje, ata theksuan se këtë pjesë në Mati 1 e menaxhon KOSTT-i dhe si pasojë e një trafos që nuk është duke funksionuar, banorët e kësaj lagje kanë mbetur pa energji.

“Këtë e menaxhon KOSTT-i, rrjetin e tensionit të lartë dhe një trafo e tyre nuk është duke funksionuar, dhe si pasojë e kësaj kanë mbetur konsumatorët pa energji”, thuhet ndër të tjerash.

Gjithashtu, Gazeta Sinjali ka tentuar të marrë përgjigje nga KOSTT lidhur me rastin, por të njëjtit kanë qenë të paqasshëm.

/Gazeta Sinjali/