Ballkani e kreu më shumë se gjysmën e punës mbrëmë për kualifikimin për në fazën e grupeve në Ligën e Konferencës për edicionin 2023-24.
‘Portokallinjtë’ e fituan thellë ndeshjen e parë të raundit eliminator të ‘Play-Off’ ndaj skuadrës bjelloruse, Bate Borisov në “Fadil Vokrri”, duke triumfuar me rezultat 4-1.
Një gol i hershëm nga mysafirët vetëm sa ‘zgjoi bishën nga gjumi’, me Ballkanin që i realizoi katër gola të njëpasnjëshëm më pas, shkruan Sinjali Sporti.
Me këtë fitore, Ballkani mund të konsiderohet me një këmbë në grupe të Ligës së Konferencës, ku tashmë shkon në Hungari për ndeshjen kthyese me një avantazh tejet komod, të epërsisë së tre golave.
Kështu, Ballkani mund ta rishkruajë përsëri historinë, duke kaluar në fazën grupore të Ligës së Konferencës për edicionin e dytë me radhë, pasi paraprakisht ende asnjë klub kosovar nuk e kishte bërë as edhe një herë të vetme.
Këto triumfe të Ballkanit, përveç se po e ngritin futbollin kosovar në arenën ndërkombëtare, klubi suharekas po ia del të përfitojë edhe shuma të majme nga UEFA.
Për katër raundet e fazës eliminatore, Ballkani ka fituar tashmë rreth 400 mijë euro.
Teksa tashmë është afër kalimit të grupeve, Ballkani do të përfitonte edhe 2.9 milionë euro të tjera me triumf ndaj BATE-s, raporton Sinjali Sporti.
Sigurisht, vlera vetëm se do të rritej në rast se do të bënte pjesë në fazën grupore.
Një fitore në fazën e grupeve vlen plot 500 mijë euro, ndërsa barazim ka vlerë 166 mijë euro.
Megjithatë, Ballkani fillimisht duhet ta kalojë suksesshëm edhe ndeshjen e dytë, për të menduar më pas për fazën e grupeve dhe shortin, që do të hidhet javën e ardhshme.