image Pompeo-Hotit: Njohja nga Serbia është esenciale për Kosovën

Kosovë

Pompeo-Hotit: Njohja nga Serbia është esenciale për Kosovën

news image

Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, në letrën e dërguar kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hotit, i ka shkruar njohja reciproke nga Serbia është esenciale për Kosovën sa i përket integrimit global.

“Ne vazhdojmë të mbështesim Kosovën në avancimin e procesit të normalizimit të plotë të marrëdhënieve me Serbinë, të përqendruara në njohjen e ndërsjellë, që është esenciale për Kosovën sa i përket integrimit global dhe arritjes së potencialit të saj të plotë, shkruhet në letrën e Pompeos drejtur Zyrës së Kryeministrit.

Gjithashtu, Pompe ka shkruar se SHBA-ja ka mirëpritur heqjen e reciprocitet për mallrat serbe.

Letra e plotë:

I nderuar Kryeministër,

Dëshiroj të uroj Kosovën për procesin paqësor dhe demokratik të formimit të qeverisë. Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë lart miqësinë me Kosovën, si dhe mirëpresim forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit SHBA-Kosovë në të gjitha fushat me interes të përbashkët.

Jam i bindur se mund të punojmë së bashku për promovimin e prosperitetit dhe stabilitetit për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ne vazhdojmë të mbështesim Kosovën në avancimin e procesit të normalizimit të plotë të marrëdhënieve me Serbinë, të përqendruara në njohjen e ndërsjellë, që është esenciale për Kosovën sa i përket integrimit global dhe arritjes së potencialit të saj të plotë. E kemi mirëpritur vendimin e qeverisë suaj për heqjen e të gjitha masave të reciprocitetit mbi mallrat serbe, që shënoi një hap vital për rinisjen e procesit të dialogut. Kosova duhet të jetë e gatshme të rifillojë negociatat me Serbinë sa më parë që është e mundshme.

Gjithashtu, e mirëpres zotimin tuaj për të luftuar korrupsionin si prioritet i lartë i qeverisë tuaj. Ne do vazhdojmë mbështetjen tonë për përpjekjet kundër korrupsionit, si dhe për iniciativat e tjera që synojnë të rrisin sundimin e ligjit dhe të forcojnë institucionet demokratike që mund të sigurojnë trajtim dhe drejtësi të barabartë për të gjithë qytetarët e Kosovës. Së bashku do të tejkalojmë pandeminë COVID-19 dhe do të ndërtojmë një shteg për realizim të potencialit ekonomik të Kosovës.

Mbetem i përkushtuar për forcimin e lidhjeve mes dy shteteve tona./ Gazeta Sinjali/