Gazeta Sinjali publikoi sot pamje nga një ngjarje në Gjilan, ku 6 policë tërhoqën zvarrë një burrë që dyshohet se ishte me probleme mendore.
Siç mësoi Sinjali nga burimet brenda Policisë, rastin e raportuan familjarët e personit në fjalë, dhe sapo zyrtarët policorë kanë arritur në vendin e ngjarjes të njohur si te Katana, e kanë marrë të dyshuarin dhe e kanë dërguar për trajtim mjekësor.
Policia tash përmes një raporti policor, ka sqaruar situatën.
“Sot, në ora 10:30, një familje me shtetësi turke, ka kërkuar ndihmë nga policia. Familjarë të një personi kanë njoftuar se një familjar i tyre po tregon shenja nervozizmi dhe jo stabiliteti psikik. Policia gjatë trajtimit të rastit ka ftuar ekipin mjekësor nga të cilët është rekomanduar dërgimi i personit në emergjencën e qytetit për trajtim shëndetësor. Në këtë situatë personi në fjalë ka shfaqur agresivitet, por me ndihmën e policisë i njëjti është dërguar për tretman në emergjencë”, tha për Sinjalin Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë në Gjilan.
Sipas tij, pas trajtimit të tij në emergjencë, i njëjti është qetësuar dhe më pas ka ardhur në stacion policor dhe ka falënderuar policinë për reagimin dhe ndihmën e ofruar në këtë rast.