Drejtoria Rajonale e Policisë së Prishtinës, respektivisht hetuesit e stacionit policor të Veriut pas marrjes së informatave në rrugë operative, kanë realizuar një operacion bastisjeje i cili ka rezultuar me gjetjen e aparaturave për prodhimin e kriptovalutave. Rasti është iniciuar “Prodhim i ndaluar”.
“Operacioni është zhvilluar në një lokal në fshatin Shkabaj të komunës së Prishtinës, me ç’ rast janë gjetur dhe sekuestruar katër (4) riga me gjithsej tridhjetë (30) pajisje për prodhimin e kriptovalutave, të cilat ishin të kyçura dhe funksionale“, thuhet në njoftimin e Policisë.
Përveç njoftimit të zyrtarëve të ATK-së, në vendin e ngjarjes janë ftuar edhe zyrtarët e KEDS–it, si dhe zyrtarët doganor, për të proceduar më tej me rastin.