Policia e Kosovës ka arrestuar dy ish-zyrtarë të gjendjes civile në Fushë Kosovë dhe në Prishtinë ngase dyshohet se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare, transmeton Gazeta Sinjali.
Sipas policisë, në rastin e parë personi i cili është arrestuar ka punuar në Fushë-Kosovë si zyrtar i gjendjes civile, i cili në periudhën sa ishte në detyrë në kundërshtim me ligjet dhe aktet nënligjore pa u vërtetuar dhe verifikuar, i ka regjistruar në sistemin elektronik të gjendjes civile personat e dyshuar (NN), të cilët më pastaj kanë arritur të pajisen me dokumente identifikuese, si letërnjoftim dhe pasaportë të RKS-së, me të dhëna të pavërteta.
Në njoftimin e policisë thuhet se në rastin e dytë, ish-zyrtari i gjendjes civile në Prishtinë tani i pensionuar është arrestuar nën dyshimet vijuese se gjatë punës së tij, në kundërshtim me ligjet dhe aktet nënligjore, në dy raste me persona të ndryshëm, pa u vërtetuar dhe verifikuar, në kundërshtim me të dhënat nga libri amzë i të lindurve, i ka regjistruar në sistemin elektronik të gjendjes civile personat e dyshuar (NN), të cilët më pastaj kanë arritur të pajisen me dokumente identifikuese si letërnjoftim dhe pasaportë të RKS-së, me të dhëna të pavërteta.
Policia ka njoftuar se ndaj të arrestuarve është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh./Gazeta Sinjali/