image Policia po e heton vdekjen e 6 të infektuarve me COVID-19 në Klinikën Infektive

Shëndetësi

Policia po e heton vdekjen e 6 të infektuarve me COVID-19 në Klinikën Infektive

news image

Policia e Kosovës po e heton rastin e 6 vdekjeve të djeshme të pacientëve të infektuar me koronavirus që po trajtoheshin në Klinikën Infektive të QKUK-së.

Dje u raportua për rreth 5 viktima të koronavirusit, ndërsa në mbrëmje Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) konfirmoi se ishin 6 persona që kishin vdekur në Infektivë.

Përmes raportit 24 orësh, Policia thotë se trupat e pajetë të 6 personave me urdhër të prokurorit janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion, ndërsa thonë se rasti po hetohet, shkruan Gazeta Sinjali.

“Prishtinë 05.07.2020 – 01:00. Raportohet se në Kliniken Infektive në Prishtinë kanë vdekur gjashtë persona që të gjithë kosovar. Me vendim të prokurorit, trupat e pa jetë të viktimave dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore për Obduksion. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin e Policisë.

Qysh në mëngjes, Policia dje e rrethoi Klinikën Infektive me shiritë të sigurisë, ndërsa Gazeta Sinjali mësoi se prishja e respiratorëve të Infektivës po dyshohej se mund të ishte prishur pas mesnate dhe të jetë bërë shkak për vdekjen e disa personave.

Me urdhër të prokurorit, Policia ka shkuar në këtë klinikë për të verifikuar nëse mosfunksionimi i respiratorëve kishte të bënte me defekt teknik apo me ndonjë prishje të qëllimshme.

Nga hetimet e para, vdekjet e fundit janë trajtuar si të dyshimta dhe Policia është duke zhvilluar hetime.

Ndërkohë, drejtoresha e Klinikës Infektive në QKUK, Lindita Ajvazaj, dje tha për Gazetën Sinjali se për këtë rast do të përgjigjet vetëm prokuroria dhe kjo është vendosur me urdhër të kësaj të fundit.

Policia e Kosovës dje nuk ka dhënë version për vdekjet në Infektivë dhe hetimet që kishin nisur. /Gazeta Sinjali