image Policia në kërkim të personit të tretë në Veri, konfiskon armë dhe municion gjatë operacionit të forcave speciale

Kosovë

Rasti i vrasjes së Ivanoviqit/ Policia në kërkim të personit të tretë në Veri, konfiskon armë dhe municion gjatë operacionit të forcave speciale

news image

Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani deklaroi për Gazetën Sinjali se në ketë operacion janë gjetur dhe konfiskuar tri armë dhe municion ndërsa janë të dyshuar tre persona( dy prej të cilëve janë arrestuar) që kanë ndërlidhje me rastin e vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq.

Policia e Kosovës e ka konfirmuar lajmin e publikuar më herët nga Gazeta Sinjali për aksionin policor në Veri të Mitrovicës i cili ka nisur sot në orët e hershme të mëngjesit në kuadër të hetimeve për ndriçimin e vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq.

Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani ka deklaruar për  Gazetën Sinjali se deri më tash janë arrestuar dy persona ndërsa policia është në kërkim të të dyshuarit të tretë.

“Mund të konfirmojmë se sot në orët e hershme të mëngjesit, në Veri të Mitrovicës Policia e Kosovës ka realizuar një operacion policor i cili ndërlidhet me rastin e vrasjes se z. O. Ivanoviq. Ky operacion policor është realizuar në bazë të urdhëresës për kontroll të lëshuar nga Gjykata Themelore , Departamenti Special, i cili ka rezultuar me arrestimin e një personi te dyshuar zyrtar policor i nacionalitetit serb ( R. B. ) i përfshirë në urdhër kontroll, përderisa i dyshuari tjetër po ashtu pjesëtar policor mbetet në kërkim.”, ka deklaruar Kelani për Gazetën Sinjali.

Ai bëri të ditur se gjatë operacionit policor është arrestuar edhe një person tjetër i dyshuar tek i cili është gjetur një armë.

Zëdhënësi i Policisë theksoi se në ketë operacion janë gjetur dhe konfiskuar edhe dy armë të tjera dhe municion.

Gazeta Sinjali do të ju mbajë të informuar lidhur me këtë rast. /Gazeta Sinjali/