image Policia në Gjakovë mbyllet për publikun, tenton ta fshehë skandalin policor

Kosovë

Jotransparenca/ Policia në Gjakovë mbyllet për publikun, tenton ta fshehë skandalin policor

news image

Policia në Gjakovë është mbyllur për informata zyrtare rreth skandalit  të arratisjes së një personi nga Stacioni Policor në Gjakovë.

Më herët, Gazeta Sinjali raportoi ekskluzivisht për këtë rast që ka ndodhur mbrëmë ku një i dyshuar kishte arritur të iu ikte zyrtarëve policorë nga stacioni duke u arratisur në drejtim të panjohur. Lidhur me këtë rast është suspenduar togeri Flamur Frrokaj i cili dyshohet se ka qenë personi përgjegjës për mbajtjen në kontroll të të dyshuarit i cili ishte arrestuar paraprakisht nga policia.   

Gazeta ka provuar të kontaktojë me drejtuesit e policisë dhe personat përgjegjës për informim në këtë stacion lidhur me shkaqet sesi ka ndodhur arratisja dhe cilat janë veprimet tjera policore që janë ndërmarr lidhur me këtë rast, por asnjëri prej tyre nuk ka dhënë përgjigje.

Komandanti i Stacionit të Policisë në Gjakovë, Kristë Gjokaj ashtu sikurse edhe zëvendësi i tij Ramë Bekaj, fillimisht janë lajmëruar në telefon, por nuk kanë pranuar të deklarohen duke thënë se informatat lidhur me këtë çështje janë kompetencë e zëdhënëses.

Në anën tjetër, zëdhënësja e policisë, Lirie Podrimaj e cila kontaktuar disa herë nga redaksia nuk e ka hapur telefonin ndërsa zëdhënësi Ahmet Hasi ka deklaruar se nuk është në dijeni për këtë çështje dhe se është në pushim mjekësor.

Në pamundësi për të siguruar qasje në informacion zyrtar, Gazeta ka provuar t`i kontaktojë për herë të dytë, komandantin Kristë Gjokaj dhe zëvendësin e Ramë Bekaj por ata kanë qenë të paqasshëm pasi e kanë mbyllur telefonin.

Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë kur raste të tilla të papërgjegjshme ndodhin në stacionin Policor në Gjakovë.

Kohë më parë  komandanti i këtij stacioni dhe pesë zyrtarë policor ishin përfshirë në një skandal policor me ç`rast kishin përdorur dhunë  dhe torturë ndaj një personi me duar të lidhura brenda stacionit policor./Gazeta Sinjali/