image Policia konfirmon raportimin e Sinjalit: Arrestohen dy persona për kërcënimin e Vehbi Kajtazit

Siguri

Policia konfirmon raportimin e Sinjalit: Arrestohen dy persona për kërcënimin e Vehbi Kajtazit

news image

Gazeta Sinjali ka raportuar dje se janë arrestuar dy persona nën dyshimin se kanë kërcënuar gazetarin Vehbi Kajtazi, pas deklaratave të tij për “Grupin e Kumanovës”. Burimet e Sinjalit brenda prokurorisë kanë njoftuar se personat e arrestuar janë Brahim Hajvazi dhe Kadri Raqi.

Arrestimin e dy personave e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës përmes raportit 24-orësh

Rr. Rexhep Luci, Prishtinë, 14.12.2021. Janë identifikuar dhe arrestuar dy  të dyshuar meshkuj  kosovarë  pasi që të njëjtit dyshohet se nëpër rrjetet sociale e kanë kanosur gazetarin mashkull kosovar. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit kujdestar, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje“, thuhet në raport.

Si u arrestuan dy të dyshuarit?

Të enjten përmes një njoftimi të AGK-së, u bë e ditur se Kajtazi kishte denoncuar në Polici mbi 100 kërcënime qe kishte marrë.

Pasi Policia u vu në lëvizje arriti të arrestojë dy të dyshuarit, Hajvazi dhe Raqi.

Të njëjtit, sipas burimeve të Sinjalit janë dërguar në ndalim në kohëzgjatje prej 48 orësh.

AGK njoftoi se Kajtazi u ka dërguar letër ku ka folur për kërcënimet qe ka marrë.

“Prej asaj dite kam marrë qindra kërcënime me jetë nga persona të ndryshëm. Këto kërcënime janë nxitur edhe nga reagimet e grupit të dënuar të cilët lirshëm shkruajnë e lidhen me Televizione. Sot, zyrtarisht kam hapur rast në Polici kundër një numri prej 100 personash kërcënimet e të cilëve janë shumë serioze. Me rastin tashmë janë duke u marrë Krimet e Rënda në Polici, sektor ky që po merret me verifikimin dhe hetimin e këtyre rasteve. Numri i rastit të hapur në Polici është 2021 – AB 3245”, ka shkruar Kajtazi në letrën për AGK-në.

Asociacion i Gazetarëve të Kosovës i ka dënuar fuqishëm këto kërcënime dhe e ka ftuar Policinë që të ofrojë siguri për gazetarin Kajtazi dhe për të afërmit e gazetarit.

Ndryshe, Kajtazi kishte deklaruar se Grupi i Kumanovës është një bandë kriminale, e cila e armatosur deri në dhëmbë ka shkuar në Maqedoni dhe ka luftuar me forcat policore të Maqedonisë, ku bëjnë pjesë edhe shumë shqiptarë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. /GazetaSinjali/