Policia e Kosovës bën të ditur se nuk ka të lënduar nga të shtënat me armë zjarri në pasditen e sotme në rrugën “Arbnor dhe Astrit Dehari” në Prishtinë.
Lajmin e ka konfirmuar për Sinjalin, zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Rreth orës 15:40, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë në rrugën Arbnor dhe Astrit Dehari në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në informacionet e para janë ngritur dyshimet se një person i dyshuar, nga një motoçikletë në lëvizje ka shtënë me armë zjarri në drejtim të një veture. Nuk raportohet për persona të lënduar”, tha ajo.
Ahmeti shton se hetuesit policorë në koordinim me prokurorinë po ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit i cili është cilësuar vrasje në tentativë.