image Policia jep detaje për aksidentin në Gjilan si pasojë e të cilit vdiq një 32-vjeçar

Siguri

Policia jep detaje për aksidentin në Gjilan si pasojë e të cilit vdiq një 32-vjeçar

news image

Gazeta Sinjali raportoi pak më parë që Burhan Ferati, një 32-vjeçar nga Gjilani, ka ndërruar jetë si pasojë e një aksidenti mes dy veturave që ka ndodhur sonte rreth orës 18:33 në rrugën Pasjan – Gjilan.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit tha për Sinjalin se i riu ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku ishte dërguar për tretman mjekësor për shkak të lëndimeve që kishte pësuar në këtë aksident.

Ai bëri të ditur se si pasojë e këtij aksidenti janë lënduar edhe tre persona të tjerë, të cilët pasi janë trajtuar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Gjilan, janë liruar për në shtëpi.

“Si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar dy drejtuesit e dy veturave dhe dy pasagjerë. Drejtuesi B.F. (1989) i ipet ndihma e parë në QF – Gjilan. I njëjti transferohet për në Prishtinë në QKUK, kurse të lënduari e tjerë lirohen për në shtëpi. Nga QKUK – Prishtinë jemi njoftuar se drejtuesi B.F., (1989) edhe përkundër përpjekjeve të mjekëve për ndihmë të ofruar, për shkak të plagëve të rënda të pësuara në aksident, nuk ka mund t’u mbijetojë plagëve të pësuara”, tha Hashani.

Sipas hetimeve të para, dyshohet se deri te aksidenti ka ardhur kur automjeti “Golf” me targa 06 ka qenë duke lëvizur në drejtimin Pasjan – Gjilan dhe i njëjti dyshohet se është përplasur me veturën “Astra” po ashtu me targa 06, e cila ishte duke lëvizur në drejtim të kundërt.

Prokurori i shtetit ka urdhëruar që trupi i pajetë i të riut të dërgohet për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Policia njofton se rrethanat e këtij aksidenti të rëndë janë duke u hetuar ende./Gazeta Sinjali/