Gazeta Sinjali raportoi sot për arrestimin e një personi në Pejë, i cili dyshohet se ka kryer veprën penale “Fajde”, raporton Gazeta Sinjali.
Policia e Kosovës përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se personi që ra në prangat e policisë është B.U, nga rajoni i Pejës, i lindur në vitin 1963.
Sipas policisë, 58-vjeçari ka përfituar shuma të mëdha parash nga disa qytetarë.
“I njëjti dyshohet se për veprën penale në fjalë ka përfituar shuma të larta parash nga persona të ndryshëm duke aplikuar përqindje të larta interesi, përderisa gjatë verifikimit ka rezultuar se është recidivist i kryerjes së veprave të ndryshme penale”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia njofton se me urdhër të Gjykatës është bastisur shtëpia e të dyshuarit, i cili, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Arrestimi i 58-vjeçarit u bë pas hetimeve disa mujore të Policisë së Kosovës, konkretisht Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK)./Gazeta Sinjali/