image Policia godet një lokal në Tiranë, dy të arrestuar për baste sportive dhe lëndë narkotike

Shqipëri

Policia godet një lokal në Tiranë, dy të arrestuar për baste sportive dhe lëndë narkotike

news image

Një operacion i zhvilluar nga Policia e Shtetit ka zbuluar një lokal në bulevardin “Zhan d’Ark” në Tiranë, i cili dyshohet se përdorej për organizimin e paligjshëm të basteve sportive dhe aktivitete të lidhura me lëndët narkotike.

Aksioni, i koduar “Vendtakimi”, u realizua nga specialistët për Hetimin e Mashtrimeve Kibernetike në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, në kuadër të kontrolleve për identifikimin dhe goditjen e ambienteve që shfrytëzohen për veprimtari të kundërligjshme.

Gjatë operacionit u arrestua pronari i lokalit, 56 vjeç, i dyshuar se kishte përshtatur ambientin për organizimin e basteve sportive, ndërsa në pranga përfundoi edhe një 33-vjeçar, i kapur në flagrancë duke vendosur baste përmes telefonit celular.

Kontrollet e kryera në lokal rezultuan me sekuestrimin e një sasie të lëndës së dyshuar narkotike të llojit Cannabis Sativa, tre telefonave celularë që dyshohet se përdoreshin për aktivitetin e basteve, si dhe provave të tjera që do t’i shërbejnë hetimit.

Policia njoftoi se materialet procedurale i janë përcjellë Prokurorisë së Tiranës, e cila do të vijojë hetimet për të sqaruar plotësisht aktivitetin e dyshuar kriminal dhe për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë rast.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/