Një 41-vjeçar i shpallur në kërkim për plagosje të dyfishtë me thikë është vënë në pranga nga Policia e Tiranës gjatë një operacioni të koduar “Udhëkryqi”, në kuadër të kontrolleve për goditjen e personave me rrezikshmëri kriminale dhe armëmbajtje pa leje.
Sipas njoftimit zyrtar, në pranga ka rënë shtetasi me iniciale Y. M., i dyshuar se më 2 qershor 2026, gjatë një konflikti të çastit pranë urës së Paskuqanit, ka plagosur me mjet prerës dy shtetasit E. Q. dhe A. V.
Arrestimi është realizuar në rrugën “Mine Peza” në Tiranë, ku 41-vjeçari është ndaluar nga shërbimet e policisë për kontroll, teksa lëvizte me një automjet tip “Benz”. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, efektivët kanë sekuestruar një armë zjarri pistoletë me krehër dhe fishekë, dhjetëra fishekë të kalibrave të ndryshëm, një thikë dhe një sasi të dyshuar lënde narkotike kokainë.
Policia bën të ditur se të gjitha provat materiale janë sekuestruar, ndërsa ndaj të dyshuarit pritet të rëndohet pozita penale për disa vepra të mundshme, përfshirë armëmbajtje pa leje dhe posedim të lëndëve narkotike.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme hetimore.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!