image Policia gjen 8 emigrantë të fshehur në kamionë në Austri

Evropë

Policia gjen 8 emigrantë të fshehur në kamionë në Austri

news image

Policia austriake njoftoi se gjeti tetë emigrantë të cilët ishin fshehur në një kuti të ngushtë prej druri që ishte ngjitur në pjesën e poshtme të kamionit.

Policia tha se emigrantët, të cilët po udhëtonin nga Turqia, u kontrabanduan në kushte kërcënuese për jetën, nga Rumania përmes Hungarisë për në Austri, raporton Reuters.

Disa prej tyre kanë qenë në gjendje hipotermie, për shkak të udhëtimit në temperatura të ulëta, e disa kanë mbetur pa ndjenja, pasi kanë qenë të ekspozuar ndaj gazit të kamionit për orë të tëra, njoftoi sot policia.

Sipas deklaratës, emigrantët e përshkruan strehën e tyre si një “kuti tmerri”.

Gjithashtu thuhet se është arrestuar drejtuesi i kamionit, një 39-vjeçar turk, si dhe bashkëpunëtori i tij 56-vjeçar, gjithashtu shtetas turk dhe nuk jepen detaje të tjera për kontrabandistët apo emigrantët.

Hetuesit austriakë zbuluan emigrantët dhe arrestuan shoferin muajin e kaluar, në zonën e pushimit të autostradës pranë Schwechat, në juglindje të Vjenës, pasi autoritetet gjermane i njoftuan ata, por policia njoftoi për këtë incident vetëm sot.

Raportohet se bashkëpunëtori u arrestua të premten në qytetin austriak të Grazit, ku ai jeton dhe se shoferi pranoi se kishte kontrabanduar deri në 40 emigrantë në Austri gjatë tetë udhëtimeve për të cilat çdo emigrant duhej të paguante nga 15 mijë deri në 16 mijë euro, shkruan Reuters duke iu referuar mediave austriake./GazetaSinjali/