image Policia e Shtetit: 60 tifozë u shoqëruan në komisariat, u lënduan dhjetë zyrtarë policorë

Shqipëri

Policia e Shtetit: 60 tifozë u shoqëruan në komisariat, u lënduan dhjetë zyrtarë policorë

news image

Policia e Shtetit në Shqipëri ka bërë të ditur se mbrëmë i kanë shoqëruar 60 tifozë nga grupet e të dyja skuadrave që do të luajnë sot në stadiumin “Air Albania”.

Në njoftimin e lëshuar thuhet se 48 shtetas janë italianë dhe 12 të tjerë janë holandezë, si dhe janë duke vazhduar në shoqërimin e kërkimin e personave të tjerë, të cilët mbrëmë u përleshën me njëri-tjetrin, por edhe me zyrtarë policorë, prej të cilëve u lënduan dhjetë.

“Shërbimet e Policisë kanë tentuar t’i ndalojnë në rrugën “Mustafa Matohiti”, ku tifozët e skuadrës Feyenoord, në mënyrë të dhunshme kanë goditur punonjësit e Policisë me shishe qelqi, shkopinj, gurë dhe sende të tjera të forta. Më pas, një grup tjetër tifozësh, të skuadrës së Romës, kanë lëvizur në drejtim të urës së DVP Tiranë ku dhe atje janë përplasur me shërbimet e Policisë duke përdorur gurë, shishe e shkopinj.

Si pasojë e dhunës së ushtruar nga tifozët e të dy skuadrave, janë plagosur 10 punonjës Policie dhe është dëmtuar një automjet policie. Shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur shpërndarjen e tyre si dhe kanë shoqëruar në ambientet e Policisë 60 shtetas nga grupet e tifozëve të dyja skuadrave, 48 shtetas italian dhe 12 shtetas holandez dhe vijon shoqërimi i personave të tjerë, të përfshirë në akte të dhunshme”, thuhet në njoftim.

/GazetaSinjali/