image Policia e Shqipërisë e hedh në gjyq Spitalin Amerikan për shkak të testeve për koronavirus

Rajon

Tiranë/ Policia e Shqipërisë e hedh në gjyq Spitalin Amerikan për shkak të testeve për koronavirus

news image

Policia e Shtetit në Shqipëri e ka hedhur në gjyq Spitalin Amerikan lidhur me testimet për koronavirus që po kryhen në këtë institucion privat.

Prokuroria e Tiranës njoftoi se ka pranuar një kallëzim penal nga policia ndaj spitalit privat për kontrabandë dhe përhapje të panikut.

Koordinatorja për të drejtën e informimit pranë Prokurorisë së Tiranës, Lorena Salillari tha se “ka mbërritur kallezimi ndaj Spitalit Amerikan për veprat penale të parashikuara nga nenet 267 dhe 174 te Kodit Penal, “kontrabanda me mallra të tjerë” dhe “përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”.

Ajo tha se ende nuk ishte regjistruar një procedim penal dhe ende nuk ishte shortuar çështja.

Vetë drejtori i këtij spitali, Klodian Allajbeu, deklaroi disa ditë më parë në emisionin “Opinion” se spitali disponon një pajisje që mund të kryejë deri në 4 mijë testime në ditë për koronavirus.

Agjencia Shtetërore e Barnave ka reaguar lidhur me këtë, duke njoftuar se asnjë institucion tjetër përveç Institutit të Shëndetit Publik nuk kishte certifikim për të bërë testime për COVID-19.

“Spitali Amerikan, përqafoje jetën” është motoja e këtij institucioni privat shëndetësor që operon edhe në Kosovë, e i cili përmes keqpërdorimit të emrit të SHBA-së promovon besueshmëri shërbimesh duke joshur pacientët me qëllim të rritjes së përfitimit.

Në vend të përqafimit të jetës, qytetarët të paktën për një gjë po e përqafojnë mashtrimin dhe lajthitjen, pasi ky institucion ndonëse mban emrin “Spitali Amerikan”, nuk e ka as edhe një mjek të këtij shteti me mjekësi të avancuar.

Në një audio-incizim të publikuar në dhjetor nga Gazeta Sinjali, shefi i Spitalit Amerikan në Kosovë dëgjohet duke ju thënë familjarëve të një pacienti se neurologu Blerim Myftiu, ndaj të cilit po ankoheshin për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor, është mjek i Ambasadës Amerikane në Kosovë.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë e kishte përgënjeshtruar drejtorin e Spitalit Amerikan në Prishtinë,  Igli Larashi i cili keqpërdori emrin e kësaj Ambasade, për t’ju bërë marketing mjekëve të këtij spitali.

“Në Spitalin Amerikan nuk ka të punësuar nga personeli i Ambasadës dhe Ambasada nuk referon ekskluzivisht te ndonjë mjek apo spital i caktuar në Kosovë”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Ambasadës Amerikane për Gazetën Sinjali.

Në këto institucione private shëndetësore që mbajnë emra të “mëdhenj”, shumica dërrmuese e personelit shëndetësor janë vendës. Madje, shumë prej tyre janë të njëjtit që punojnë edhe në institucionet publike shëndetësore. /Gazeta Sinjali/