image Policia e Shqipërisë deklarohet për akuzat se e ndaluan veteranin e UÇK-së me kërkesë të Serbisë

Shqipëri

Policia e Shqipërisë deklarohet për akuzat se e ndaluan veteranin e UÇK-së me kërkesë të Serbisë

news image

Policia e Shqipërisë e ka demantuar kryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucatin, i cili tha se veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Murtez Kastratin nga Lipjani, është ndaluar nga Policia në Shqipëri, pasi që atë po e kërkon Serbia përmes INTERPOL-it.

Zëdhënësi i Policisë së Shtetit, Gent Mullai tha për “Panorama Online” se lajmi nuk është i vërtetë, duke mohuar kështu pretendimet Organizatës së Veteranëve të Luftës në Kosovë, transmeton Gazeta Sinjali.

Gucati ka shkruar se nga burimet që kanë marrë, Serbia këto ditë ka bërë një listë të re me emra të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, në bazë të së cilës është ndaluar ish-ushtari i UÇK-së, Murtez Kastrati.

“Ju bëjmë apel bashkluftëtarëve që këto ditë mos të lëvizin dhe të mos dalin në shtetet tjera. Shteti i Shqipërisë duhet sa me parë ta lirojë Murtez Kastratin dhe të mos i marrë parasysh asnjëherë veprimet dhe listat e dërguar në Interpol nga Serbia. Deri sa do të vazhdojnë kështu duke u maltretuar në këtë formë njerëzit që dhanë çdo gjë që ne sot ta kemi shtetin? Veteranët ende nuk janë në gjendje të lëvizin të lirë, Qeveria e Kosovës sa me parë duhet të marrë masa në këtë drejtim dhe të mos kemi më raste të tilla”, ka shkruar ai. /Gazeta Sinjali