Gjykata Themelore në Prizren ka marrë vendim për të riun Albin Kadriaj, i njohur si “Giga i Vogël”, i cili para disa ditësh ndonëse tentoi të arratisej, Policia arriti ta kap pas një ndjekje prej 1,5 km dhe të njëjtit iu gjetën substanca narkotike.
Kërkesa e Prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë është aprovuar nga Gjykata dhe të njëjtit i është caktuar paraburgimi në kohëzgjatje prej 30 ditësh, raporton Gazeta Sinjali.
Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Gjykatës Themelore në Prizren, Marcel Lekaj.
“Departamenti për Krime të Rënda, ndaj të pandehurit A.K., ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, e cila masë mund të zgjasë deri me datë 27.04.2022, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja ose shitja e paautorizuar e narkotikëve substancave psikotrope dhe analoge nga neni 267 par. 2 të Kodi Penal të Republikës së Kosovës.
Nga provat e mbledhura deri në këtë fazë ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti pa autorizim blen, posedon, shet dhe shpërndan substanca narkotike të cilët janë shpall me ligj si narkotikë”, thuhet në përgjigjen e Lekajt për Sinjali.
Sipas gjykatës, i dyshuari në ditën e arrestimit ka tentuar t’iu ikë zyrtarëve policorë, të cilët e kanë ndjekur 1.5 km.
Gjykata ka vlerësuar se masa e paraburgimit është caktuar edhe për faktin që i dyshuari është recidivistë i veprave penale.
“Me lënien në liri të të pandehurit Gjykata ka vlerësuar se ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale pasi që nga karakteristikat personale i pandehuri është përsëritës i veprave penale, apo edhe i arratisjes me qëllim të shmangies nga drejtësia, pasi që i pandehuri ditën kritike me të vërejtur zyrtarë Policor ka filluar të vrapoi përkundër urdhrit nga Policia të cilët e kanë arrestuar të pandehurit pas një ndjekje prej 1.5 km.”
Në ditën e arrestimit, më 28 mars, Albin Kadriajt, Policia ia gjeti: pesë qese plastike me substanca të dyshuara për narkotikë, të llojit marihuanë me peshë 8.39 gramë, një peshore digjitale, një telefon, një shishe plastike me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë dhe një elektroshok me ngjyrë të zezë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.