image Policia e Kosovës gjen arsenal armësh në shtëpinë e të dyshuarve që plagosën dy vëllezërit në Prishtinë

Kosovë

Detaje/ Policia e Kosovës gjen arsenal armësh në shtëpinë e të dyshuarve që plagosën dy vëllezërit në Prishtinë

news image

Policia e Kosovës më në fund ka bastisur shtëpinë e personave të dyshuar të cilët fillimisht kishin kërcënuar e të mërkurën edhe kishin plagosur dy vëllezërit Krasniqi në Kolovicë të Prishtinës.

Gazeta Sinjali, kishte raportuar ekskluzivisht gjatë ditës së djeshme për suspendimin e dy zyrtarëve policorë Ahmet Jusufi dhe Ejup Mehani të cilët kishin injoruar ankesën e vëllezërve Krasniqi javë më parë ndaj të dyshuarve.

Megjithatë problemi për çështjen  e një parcele kishte eskaluar të mërkurën, kur dy vëllezërit ishin plagosur me armë zjarri nga fqinjët e tyre.

Policia e Kosovës në raportin 24-orësh ka njoftuar se në shtëpinë e të dyshuarve ka gjetur një pushkë gjuetie, një pushkë automatike dhe 77 copë fishekë.

“Është raportuar se pas një mosmarrëveshje rreth  një kontesti pronësor, gjashtë të dyshuar meshkuj kosovarë janë rrahur mes veti, njëri prej tyre ka shtënë me armë zjarri duke qëlluar dy të dyshuar të cilët kanë pranuar trajtim mjekësor në QKUK. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar, një pistoletë me katër gëzhoja dhe katër copë fishekë ndërsa pas kontrollimit të shtëpive dhe banesave të dyshuarve  në dy lokacione janë gjetur dhe konfiskuar,  një pushkë gjuetie, një   pushkë gjysmë automatike dhe shtatëdhjetë e shtatë copë fishekë.  Me vendim të prokurorit gjashtë të dyshuar pas intervistimit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24-orësh./Gazeta Sinjali/