image "Polici të mbahet mirë, s'e lëmë me kaq"/ Ky është vushtrriasi që pasi doli nga stacioni kërcënoi zyrtarin policor

Siguri

“Polici të mbahet mirë, s’e lëmë me kaq”/ Ky është vushtrriasi që pasi doli nga stacioni kërcënoi zyrtarin policor

news image

Gazeta Sinjali mbrëmë raportoi për konfliktin mes dy personave në Vushtrri që pasoi me kërcënim për shkak të një mosmarrëveshje për pronën. Njëri nga personat e përfshirë në rast e kërcënoi të dyshuarin tjetër nën praninë e zyrtarëve policorë të cilët i thirrën vet. Policia kërkoi asistim që t’i vë nën kontroll të dyshuarit, të cilët u dërguan në stacion policor, ku pas intervistimit u liruan. Telashet për të dyshuarin kryesor nuk mbaruan aty.

Disa orë pasi u lirua nga Policia, ai vazhdoi me kërcënime. Këtë herë, e kanosi një zyrtar policor përmes telefonit, duke lënë një ‘selam’.

Gazeta Sinjali mëson se i dyshuari që u arrestua për herë të dytë gjatë ditës së djeshme, si i dyshuar për kanosje është Bujar Selmani, 30-vjeçar.

I njëjti në orët e mbrëmjes ka telefonuar në Polici dhe zyrtarit kujdestar në stacion policor i ka thënë se: “Polici (_) i ka rënë vëllait tim dhe thuaj atij le të mbahet mirë sepse nuk do t’jua lamë me kaq këtë punë.”

Pas kësaj telefonate, njësitë policore të stacionit në Vushtrri bashkë me Njësinë për reagim të Shpejtë janë vënë në lëvizje dhe kanë arrestuar të dyshuarin, i cili pas intervistimit është dërguar në mbajtje për 48 orë

Çka ndodhi gjatë ditës?

Rasti fillimisht u raportua nga njëri prej personave të përfshirë në rast, pas ngatërresës që kishte me të dyshuarin tjetër. Meqë s’arritën të merreshin vesh mes vete, kërkuan Policinë të dalë në vendin e ngjarjes.

Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur se derisa i dyshuari po tregonte problemin që kishte me personin tjetër u është drejtuar policëve me fjalët “mos thirrni policë tjerë se keni me pa ju kush jam unë”.

Për të mos mbaruar me kaq, ai e kërcënoi edhe personin me të cilin kishte mosmarrëveshje për pronë. “Ty ka me të vjerrë për kumlle dhe kam me të vra”, ishin fjalët e tij që e bën Policinë të kërkonte asistim nga njësi shtesë.

Posa zyrtarë të tjerë policorë kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, dy personat e dyshuar janë vënë nën kontroll dhe janë shoqëruar për stacion policor.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/