image "Ka me të vjerrë për kumlle dhe ka me të vra"/ Ngatërresë për shkak të pronës - u kërcënua edhe Policia

Siguri

“Ka me të vjerrë për kumlle dhe ka me të vra”/ Ngatërresë për shkak të pronës – u kërcënua edhe Policia

news image

Mosmarrëveshjet për pronë po vazhdojnë të jenë mollë sherri në shumë familje kosovare. Një rast i tillë ka ndodhur në Vushtrri, ku dy persona (emra të njohur për redaksinë) pasi s’arritën të merreshin vesh mes vete, kërkuan Policinë të dalë në vendin e ngjarjes.

Pasi rasti u raportua nga njëri prej personave të përfshirë në rast, zyrtarët policorë dolën në vendin e ngjarjes, por që u ballafaquan me kërcënim.

Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur se derisa i dyshuari po tregonte problemin që kishte me personin tjetër u është drejtuar policëve me fjalët “mos thirrni policë tjerë se keni me pa ju kush jam unë”.

Për të mos mbaruar me kaq, ai e kërcënoi edhe personin me të cilin kishte mosmarrëveshje për pronë. “Ty ka me të vjerrë për kumlle dhe kam me te vra”, ishin fjalët e tij që e bën Policinë të kërkonte asistim nga njësi shtesë.

Posa zyrtarë të tjerë policorë kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, dy personat e dyshuar janë vënë nën kontroll dhe janë shoqëruar për stacion policor, ku edhe janë intervistuar.

Me vendim të prokurorit kujdestar rasti është iniciuar si “kanosje” dhe të dyshuarit janë liruar.

‘Kapadaia’ që u lirua telefonoi Policinë për t’ua lënë një selam

Edhe pse u lirua dhe ndaj tij u hap rasti për kërcënim, njëri nga të dyshuarit nuk u ndal, telefonoi në polici si kapadai, për t’ua lënë një mesazh.

Në orët e mbrëmjes së sotme, siç mëson Sinjali i dyshuari ka telefonuar dhe i ka thënë zyrtarit kujdestar të stacionit policor në Vushtrri se “Polici (emër i njohur për redaksinë) i ka rënë vëllait tim, thuaji le të mbahet mirë sepse nuk do t’jua lëmë me kaq këtë punë.”

Pas kësaj telefonate, njësitë policore të stacionit në Vushtrri bashkë me Njësinë për reagim të Shpejtë kanë arrestuar të dyshuarin dhe kanë vazhduar me procedurat e tjera.

/GazetaSinjali/