image Polici i Kosovës shpërndan në Facebook thirrje nacionaliste "Kosova është Serbi", IPK nis hetimet

Siguri

Polici i Kosovës shpërndan në Facebook thirrje nacionaliste “Kosova është Serbi”, IPK nis hetimet

news image

Zyrtari i Policisë së Kosovës, Jovan Tanaskoviq, nga komuniteti serb, i cili shërben në stacionin policor në Fushë-Kosovë, ka shpërndarë thirrje nacionaliste në profilin e tij në Facebook, raporton Gazeta Sinjali.

Në disa nga postimet e shpërndara nga ai shihet harta e Kosovës me flamur të Serbisë.

Në njërin nga postimet e tij, zyrtari policor, Jovan Tanaskoviq, bënte thirrje për luftë e vetëflijim, duke thënë se Serbia ka dërguar xhandarmërinë në Kosovë dhe duke kërkuar nga bashkëkombësit e tij që të betohen se do të vriten me nder për Serbinë e tyre.

“Kosova është nëna ime. Prejardhja ime është në Kosovë, paraardhësit e mi janë nga Kosova, populli im serb është në Kosovë. Serbia ime ka dërguar Xhandarmërinë në Kosovë. Pa Kosovë nuk ka mohim, pa Kosovë nuk ka prejardhje, pa Kosovë nuk ka histori, pa Kosovë nuk ekziston populli serb, pa Kosovë nuk ekziston Serbia ime. Popull, vëllezër e motra, betohuni para Zotit të madh, se do të vritemi për nder, për prejardhjen time, familjen, për Serbinë time. Në besim te Zoti, për kryqin e nderit dhe nënën Serbi. Rroftë Serbia.”

Këto thirrje ishin shpërndarë në profilin e tij gjatë vitit 2012 dhe 2014 dhe të njëjtat postime vazhdojnë të gjenden në këtë rrjet social të tij.

Po ashtu, Tanaskoviq, e ka të pëlqyer në Facebook faqen me emrin “Kosova është Serbi”.

Lidhur me këto postime skandaloze të zyrtarit policor në fjalë, Gazeta Sinjali ka adresuar pyetje në Inspektoratin Policor të Kosovës.

Nga IPK kanë thënë për Sinjalin se kanë nisur një hetim ndaj Jovan Tanaskoviq dhe pas përfundimit të këtij hetimi, rasti do të përcillet për trajtim disiplinor në Policinë e Kosovës

“Duke ju referuar kërkesës suaj ju konfirmojmë se IPK pas pranimit të informacioneve për këtë rast ka zhvilluar një hetim preliminar dhe pas këtij hetimi rasti do të përcillet për trajtim administrativ displinor në Policinë e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.

Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kushdo që nxit ose përhap publikisht urrejtje, përçarje ose mosdurim midis grupeve kombëtare, racore, fetare, etnike apo grupe tjera të tilla që jetojnë në Republikën e Kosovës, në mënyrë e cila mund të prishë rendin publik, dënohet me gjobë ose me burgim deri në 5 vjet.

Edhe më e rëndë cilësohet kjo vepër, në qoftë se kryhet nga zyrtarët publikë, dënimi për të cilët është nga 1 deri në 8 vjet burgim.

Lidhur me këtë rast Gazeta Sinjali ka dërguar pyetje edhe në Drejtorinë e Policisë për Rajonin e Prishtinës, por nuk ka pranuar përgjigje.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./GazetaSinjali/