image Plas sherri në Komunën e Klinës: 45-vjeçari i dehur tenton të futet me zor në zyrën e kryetarit Elezaj, kërcënon shoferin dhe asistentin e tij

Siguri

Plas sherri në Komunën e Klinës: 45-vjeçari i dehur tenton të futet me zor në zyrën e kryetarit Elezaj, kërcënon shoferin dhe asistentin e tij

news image

Zyrtarët shtetërorë, duke përfshirë edhe pozita të larta të shtetit shpesh kanë qenë cak i kërcënimeve nga persona e grupe të ndryshme dhe për pasojë kanë kërkuar ndihmë e mbrojtje nga Policia.  E një person i cili dyshohet të ketë qenë i dehur, ka shkaktuar telashe gjatë ditës së djeshme në Komunën e Klinës, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 45-vjeçari i dyshuar, S.K., kishte cak zyrën e kryetarit të Komunës, Zenun Elezaj. Ai ndonëse nuk kishte marrë dritën e gjelbër për takim me kryetarin Elezaj, ka tentuar që me anë të forcës të depërtojë brenda zyrës së tij.

Por pavarësisht tentativës, ai është penguar nga asistenti administrativ dhe shoferi i Elezajt. Këta të fundit pasi penguan të dyshuarin që të kryente qëllimin e tij, u përballën me kërcënime serioze se do të ballafaqohen sërish posa ta kryejnë orarin e punës.

Përballë kësaj situate, ata kanë njoftuar organet e rendit, të cilët kanë shoqëruar në stacion policor të dyshuarin, i cili edhe më parë kishte bërë probleme dhe kishte tentuar që pa lënë takim të futej në zyrën e kryetarit Elezaj.

45-vjeçari në stacion të Policisë i është nënshtruar testit të alkoolit, ku ka rezultuar se është në gjendje të dehur.

Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të prokurorit ai është dërguar në mbajtje dhe do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Kanosje’.

Ndërkohë Gazeta Sinjali ka kontaktuar edhe me kryetarin e Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, i cili ka thënë se nuk ka informacione të detajuara lidhur me atë që ka ndodhur.

Elezaj u shpreh se nuk është rast për të cilin duhet ngritur shqetësim, teksa tha se këto raste janë të shpeshta.

Se di, se di unë për besë. Jam i njoftum, po është Policia le t’iu japin ata deklarata, s’po di çka është ai rast. Aty ka raste të përditshme që vijnë, për shembull pengojnë me hy në punë, ku e di unë të çfarë natyre janë, nuk e di konkretisht. Nuk kam informacione të detajuara vetëm më thanë që dikush ka dashtë me hy atje në Komunë, i ka pengu në punë, po nuk e di se s’kom marrë detaje ma shumë. Unë nuk jam ballafaqu me të, po nuk është rast për shqetësim, njeri i dehur thanë ka qenë le të merren organet e drejtësisë me të”, tha Elezaj për Sinjalin.

Sinjali do të ju mbajë të informuar për detajet e reja të rastit.

/GazetaSinjali/