Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, bëri thirrje për një zgjidhje me dy shtete të konfliktit midis Izraelit dhe Palestinës, gjatë prezantimit të planit të tij për Lindjen e Mesme.
Megjithatë ai tha se plani parasheh që Jerusalemi të mbetet kryeqytet “i pandarë” i Izraelit.
Presidenti amerikan shtoi se plani prej 80 faqesh, që është “më i detajuari” ndonjëherë, premton se shteti i ardhshëm palestinez do të jetë “i lidhur” me Jerusalemin Lindor.
Ndërkaq, presidenti francez, Emmanuel Macron, ngriti dyshime në lidhje me perspektivën e një zgjidhjeje dy-shtetesh midis izraelitëve dhe palestinezëve.
Komentet e tij u bën, pasi u pyet për të komentuar planin e paqes për Lindjen e Mesme, të cilin këtë javë e shpalli presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
“Unë besoj në dy sovranitete”, tha Macron kur u pyet nga gazeta Le Figaro nëse ai besonte në zgjidhjen me dy shtete.
Macron, gjithashtu tha që ai nuk do të paraqiste ndonjë plan të tij, por sugjeroi që plani i presidentit amerikan, mund të hasë në vështirësi për tu zbatuar në terren.
Kujtojmë që pikat e marrëveshjes mes Izraelit dhe Palestinës janë këto:
1. Ripërcaktimi i kufijve – palestinezët fitojnë shtetin
2. Kryeqyteti i Palestinës Jerusalemi Lindor, ndërsa i Izraelit Jerusalemi
3. Izraeli mban vendbanimet e veta në Bregun Perëndimor
4. Statusi i deritashëm i vendeve të shenjta do të mbetej edhe më tutje i pandryshuar
5. Hebrenjve nuk do t’u lejohej të blinin shtëpitë e arapëve dhe anasjelltas
6. Marrëveshja do të mbështetet financiarisht me miliarda dollarë, në radhë të parë nga SHBA
7. Kufiri në mes të Palestinës dhe Izraelit do të jetë i hapur për lëvizje të qytetarëve dhe të mallrave, do të ndërtohet një tunel që lidhë Bregun Perëndimor me Bregun e Gazës
Statusi përfundimtar i Jerusalemit ka qenë gjithmonë një nga pyetjet më të vështira dhe më të ndjeshme në konfliktin izraelito-palestinez.
Plani u mirëprit nga Izraeli, por u përshëndet me gjakftohtësi në Kombet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, ndërsa në Palestinë, iniciativa u hodh poshtë nga disa vende myslimane./ Gazeta Sinjali/