Gazeta Sinjali sot ka raportuar për një tentim grabitje në Prizren, ku mbetën të plagosur dy persona, babë e bir, pronarë të një argjendarie. Sinjali mësoi se emrat e dy të plagosurve janë Orhan dhe Ismet Kasemi.
Tre persona kanë tentuar ta grabisin një dyqan të argjendarisë sonte në Prizren. Por nga ky rast, të plagosur mbetën dy persona, të cilët janë duke u trajtuar në repartin e emergjencës në Spitalin e Prizrenit .
“Janë dy të lënduar, të plagosur me armë zjarri. Njëri është i moshës 61-vjeçare, që ka marrë plagë në bark dhe këmbë. Ndërsa tjetri është 28-vjeçar që ka marrë plagë në këmbën e majtë. Të dytë janë në repartin e emergjencës dhe gjendja e tyre është nën kontroll“, ka thënë për Sinjalin drejtori i Spitalit të Prizrenit, Afrim Avdaj.
Ndërsa pasi kanë ikur nga vendngjarja, tre të dyshuarit kanë djegur veturën e tipit ‘Pasat’ dhe kanë vjedhur një tjetër të tipit ‘Polo’.
Duke ikur në drejtim të Suharekës, të dyshuarit kanë hasur në pritë të një patrulle policore, me ç’rast kanë filluar të shtien me armë, mirëpo nuk pati të lënduar.
Rastin për Sinjalin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi.
“Tre persona të dyshuar të armatosur kanë tentuar të kryejnë grabitje në një argjendari, ku ka mbetur i plagosur njëri nga pronarët, por është jashtë rrezikut për jetë. Të dyshuarit kanë ikur për në Suharekë ku janë zënë në pritë nga një patrullë policore. Aty ka pasur të shtëna armësh nga grabitësit, mirëpo nuk ka pasur të lënduar“, ka thënë Gashi.
Siç mëson Sinjali, tre grabitësit gjatë tentim grabitjes kanë përdorur një kallashnikov, një ‘shot-gun’ dhe një revole, ndërkaq ata ende nuk janë identifikuar.