Gazeta Sinjali gjatë ditës së sotme ka raportuar për arrestimin e disa personave të dyshuar për plaçkitjen e një gruaje 77 vjeçare në Fushë Kosovë.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë bërë të ditur se kanë arritur të arrestojnë tre persona të dyshuar, por që njëri nga ta është liruar pasi që ishte i mitur, shkruan Gazeta Sinjali.
“Me datë 29.01.2021 rreth orës 02:30 Policia kishte pranuar një informatë se në Fushë Kosovë ka ndodhur një thyrje e një shtëpie. Njësia policore menjëher ju ka pergjigjur informatës dhe me të arritur në lokacion është kontaktuar viktima femër, e cila njofton se është sulmuar fizikisht nga tre persona të panjohur të cilët kishin deportuar me forcë në shtëpinë e saj dhe i kanë marrë asaj disa gjëra personale, përfshirë dy telefona”, tha policia.
Po ashtu, policia bëri të ditur se njësia e hetimeve të Fushë Kosovës kanë ndërmarrë një operacion, e ku kanë arritur t’i gjejnë të dyshuarit.
“Njësia e hetimeve nga stacioni policor në Fushë Kosovë, pas një veprimtarie aktive hetimore lidhur me rastin e cekur më lart, kanë arritur të lokalizojnë një objekt (shtëpi) në Fushë Kosovë, ku dyshohej se tre personat e dyshuar të cilët dyshohej se kanë kryër veprën e cekur më lart janë strehuar në këtë shtëpi. Në konsultim me autoritetet e drejtësisë Policia kanë ndërmarr një operacion kontrolli dhe bastisje duke hyrë në shtëpinë e cekur dhe me këtë rast kanë gjetur brenda tre personat e dyshuar të cekur më lart, të cilët dyshohej se kishin kryer veprën penale “grabitje”. Gjatë realizimit të bastisjes në këtë shtëpi janë gjetur dhe sekuestruar disa sende të dyshuara (rroba të ndryshme, maska, dy telefona celular dhe një sasi të substancave narkotike)”, deklaroi policia.
Policia bëri të ditur se këta persona dyshohen edhe për përfshirje në një rast tjetër të vjedhjes.
“Gjatë hetimit të rastit, personat e njëjtë dyshohet se kishin qenë të përfshirë edhe në një rast tjetër “vjedhje e rëndë”, ndodhur me datën 21.01.2021 në Fushë Kosovë dhe hetime tjera janë në proces. Prokurori kompetent ndaj dy të dyshuarve të arrestuar ka caktuar masën e Ndalimit policor për 48 orë, kurse të dyshuarin e tretë (i mitur) e dërgon në procedurë të rregullt dhe ndaj tij është inicuar rasti “Posedim i substancave narkotike”, për ndërmarrjen e procedurave të mëtejme ligjore”, thuhet në njoftimin e policisë.