image Pfizer: Dy doza të vaksinës sonë nuk krijuan imunitet për fëmijët e vegjël

Botë

Pfizer: Dy doza të vaksinës sonë nuk krijuan imunitet për fëmijët e vegjël

news image

Prodhuesi i vaksinave Pfizer tha të premten se provat e vaksinës së saj te fëmijët e moshës 2 deri në 5 vjeç tregojnë se ajo nuk siguroi imunitetin e pritur tek fëmijët e kësaj moshe dhe po shton një dozë të tretë.

Kompania vendosi të shtojë dozën e tretë për të gjithë fëmijët dhe foshnjat e moshës 6 muaj deri në 5 vjeç pasi këshilltarët e saj të jashtëm të pavarur hodhën një vështrim në të dhënat e deritanishme.

Dy doza të vaksinës Pfizer/BioNtech të madhësisë së një fëmije nuk po prodhonin imunitetin e pritur tek fëmijët 2 deri në 5 vjeç, megjithëse ato po e bënin këtë për foshnjat deri në moshën 2 vjeç.

Kështu që kompania tha se do të “ndryshojë” provën për të shtuar një dozë të tretë.

“Studimi tani do të përfshijë vlerësimin e një doze të tretë prej 3 mikrogramësh të paktën dy muaj pas dozës së dytë të serisë me dy doza për të siguruar nivele të larta mbrojtjeje në këtë grupmoshë të re,” tha ai.

Pfizer kishte ulur madhësinë e dozës për fëmijët. Për grupmoshën 12 vjeç e lart, doza është 30 mikrogramë vaksinë. Pfizer dhe BioNTech e ulën këtë në 10 mikrogramë për fëmijët 5 deri në 11 vjeç dhe e ulën edhe më pak, në 3 mikrogramë dozë, për fëmijët më të vegjël.

Testet e hershme kishin treguar se kjo dozë e vogël do të prodhonte një përgjigje të fortë imune tek fëmijët dhe do të minimizonte rrezikun e efekteve anësore. Por të dhënat e përkohshme të cilat Bordi i pavarur i Monitorimit të të Dhënave dhe Sigurisë mund t’i shohë pa dhënë detaje për kompaninë ose hetuesit — tregojnë se ky regjim i dozës së vogël nuk prodhoi përgjigjen e pritur imune tek fëmijët 2 deri në 5 vjeç, raporton CNN.

“Asnjë shqetësim sigurie nuk u identifikua dhe doza 3 mikrograme tregoi një profil të favorshëm sigurie tek fëmijët nga 6 muaj deri në 5 vjeç”, tha Pfizer në një deklaratë.

“Vendimi për të vlerësuar një dozë të tretë prej 3 mikrogramësh për fëmijët nga 6 muaj deri në 5 vjeç pasqyron angazhimin e kompanive për të zgjedhur me kujdes dozën e duhur për të maksimizuar profilin rrezik-përfitim”, shtoi ai.

“Nëse studimi me tre doza është i suksesshëm, Pfizer dhe BioNTech presin të dorëzojnë të dhëna tek rregullatorët për të mbështetur një Autorizim Përdorimi Emergjent (EUA) për fëmijët nga 6 muaj deri në 5 vjeç në gjysmën e parë të 2022”.

Kompania gjithashtu do të testojë dozat e treta te fëmijët më të rritur, të cilët nuk kanë ende autorizim për doza përforcuese të vaksinës. Fëmijët e moshës 5 deri në 11 vjeç dhe 12 deri në 15 vjeç do të marrin injeksione të treta me dozë të plotë në prova.
Ndryshimet ndoshta nënkuptojnë një vonesë në autorizimin për vaksinat për fëmijët më të vegjël, tha Dr. Anthony Fauci./GazetaSinjali/