image Petkoviq takohet me ambasadorin gjerman, flasin për mosmarrëveshjen për rrymën në veri të Kosovës

Rajon

Petkoviq takohet me ambasadorin gjerman, flasin për mosmarrëveshjen për rrymën në veri të Kosovës

news image

E ashtuquajtura Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka njoftuar se Petar Petkoviq është takuar sot me ambasadorin gjerman, Thomas Schieb. Sipas njoftimit, “Petkoviq e ka informuar atë për problemet në zbatimin e marrëveshjeve për energji të viteve 2013 dhe 2015, dhe për obligimet e Prishtinës përkitazi me regjistrimin e dy kompanive serbe dhe licencimin e tyre për furnizim, shpërndarje dhe shitje të energjisë”.

Petkoviq ka thënë se për të gjitha problemet në atë proces e ka informuar Bashkimin Evropian, si ndërmjetës në dialog dhe si garantues të zbatimit të marrëveshjes, ka njoftuar kjo zyrë.

“Është e rëndësishme që të gjithë faktorët relevantë ndërkombëtarë të kuptojnë seriozitetin e situatës në të cilën aktualisht gjendemi, dhe të kuptojnë që veprimet e njëanshme të Prishtinës mbi këtë çështje mund të rrezikojnë situatën e sigurisë”, ka theksuar Petkoviq.

Qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit që nga viti 1999 nuk paguajnë rrymën dhe ujin. Sipas llogaritjeve, ky borxh kap vlerën prej 8 milionë euro në vit.

Nga viti 1999 deri në vitin 2017, këtë borxh e kanë paguar qytetarët e Kosovës, nga komunat tjera, duke pasur faturat e tyre më të shtrenjta për 3.5 për qind. Pas ankesave, Gjykata e Apelit ka vendosur të pezullojë këtë praktikë, sepse ka qenë e paligjshme.

/GazetaSinjali/