Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq është ankuar në palën kosovare gjatë një takimi që pati me të dërguarin special të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach.
Petkoviq në këtë takim thuhet se ka biseduar për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, e ku ka thënë se pala kosovare po krijon tensione.
Po ashtu, Petkoviq e ka përmendur pamundësinë e qytetarëve serbë të Kosovës që të votojnë në referendumin e Serbisë brenda territorit të Kosovës.
“Petkoviq theksoi se Prishtina me lëvizjet e saj çdo ditë po krijon tensione në Kosovë e M. dhe po ashtu vuri në dukje pamundësinë e votimit të komunitetit serbë në referendumin e Serbisë për ndryshime kushtetuese, por edhe paralajmërimet nga zyrtarët politikë në Prishtinë se serbët në provincë do ta kenë të ndaluar të votojnë në zgjedhjet e Republikës së Serbisë, e që paraqet një kërcënim të madh të mundshme të shkeljeve të drejtave themelore njerëzore”, thuhet në komunikatën e të ashtuquajturës Zyre për Kosovë.