Sot është përuruar salla e tretë operative në Kirurgjinë Vaskulare. Pjesë në këtë përurim ishte edhe ministri në detyrë i Shëndetësisë, Uran Ismajli.
Ministri Ismaili tha se hapja e kësaj salle do të ndihmojë që të hiqet lista e pritjes për qytetarët.
“Jam jashtëzakonisht i lumtur me investimet që po shoh se janë realizuar këtu. Kjo ka qenë një kërkesë e kamotshme e Kirurgjisë Vaskulare, që të ketë edhe një sallë tjetër. Duke krijuar hapësira moderne si kjo, do të jemi në gjendje që të shtojmë shërbimet dhe ta heqim listën e pritjes”, ka thënë ministri Ismaili.
Drejtori i ShSKUK-së, Basri Sejdiu, ka thënë se qëllimi i këtyre investimeve është që pacientëve t’u bëhet më i lehtë mjekimi dhe shërimi.
“Gradualisht po ngrisim shërbimet profesionale në QKUK që qytetarëve tanë t’u ofrojmë më shumë mundësi për t’i trajtuar problemet e tyre shëndetësore”, ka thënë Sejdiu.
Ndryshe, për këtë sallë janë shpenzuar mbi 100 mijë euro, ndërsa 100 mijë euro të tjera janë shpenzuar për modernizmin me pajisje të sallave ekzistuese./Gazeta Sinjali/