Një ditë pasi presidentja e Tajvanit Tsai Ing-Wen u kthye nga SHBA, forcat e armatosura kineze njoftuan se do të fillojnë sot stërvitjet ushtarake treditore rreth ishullit.
Kina do të kryejë patrullim të kombinuar me gatishmërinë luftarake dhe stërvitje rreth ngushticës së Tajvanit, si dhe në veri, jug dhe lindje të Tajvanit, siç është planifikuar, thuhet në deklaratë.
Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit pikasi tetë anije luftarake kineze dhe 42 avionë ushtarakë rreth ishullit. 29 avionë kaluan vijën që ndan Kinën nga Tajvani, tha ministria.
Ministria e Mbrojtjes së Tajvanit tha se do të përgjigjet me qetësi dhe me një qëndrim serioz, duke mos përshkallëzuar situatën dhe as duke provokuar konflikte.
Kina përdori vizitën e Tsai Ing-wen në SHBA si një justifikim për të nisur stërvitjet, shtoi ministria në deklaratën e saj.
Ushtria kineze filloi sot stërvitjet ushtarake treditore në ngushticën e Tajvanit, mes tensioneve të rritura me ishullin pas takimit të Presidentes Tsai Ing-Wen në SHBA me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, Kevin McCarthy.
Stërvitjet “shërbejnë si një paralajmërim serioz kundër marrëveshjeve të fshehta midis forcave separatiste që kërkojnë “pavarësinë e Tajvanit” dhe forcave të jashtme, si dhe veprimet e tyre provokuese,” paralajmëroi në një deklaratë zëdhënësi ushtarak kinez Xi Yi.