image Kina bën thirrje t’i jepet fund konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit, përmes zgjidhjes me dy shtete

Botë

Kina bën thirrje t’i jepet fund konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit, përmes zgjidhjes me dy shtete

news image

Udhëheqësi kinez Xi Jinping bëri deklaratën e parë publike për konfliktin ndërmjet Izraelit dhe Hamasit, duke bërë thirrje për armëpushim dhe përsëriti se krijimi i “një shteti të pavarur të Palestinës” përmes një zgjidhjeje me dy shtete është “rruga kryesore për dalje” nga konflikti.

“Përparësia kryesore është t’u jepet fund luftimeve sa më shpejt që është e mundur, të parandalohet zgjerimi i konfliktit apo edhe dalja e tij jashtë kontrollit dhe mundësia që të krijojë krizë të rëndë humanitare,” deklaroi Presidenti kinez Xi gjatë takimit me Kryeministrin e Egjiptit, Mostafa Madbouly në Pekin.

Disa analistë thonë se deklaratat e Presidentit Xi janë në vijë me pozitën tradicionale të Pekinit mbi çështjet që lidhen me palestinezët.

“Deklaratat nga Pekini zyrtar që nga 8 tetori janë në përputhje me qëndrimet që Kina ka mbajtur që të paktën nga viti 1997,” tha profesorja Dawn Murphy, që ligjëron mbi strategjinë e sigurisë kombëtare në Kolegjin Kombëtar amerikan të Luftës, në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Ajo tha se Kina nuk e konsideron konfliktin aktual ndërmjet Izraelit dhe Hamasit si “konflikt që do të ndryshojë dramatikisht qëndrimin e tyre.”

“E shohin atë si pjesë të një konflikti shumë më të gjatë izraelito-palestinez,” tha zonja Murphy.

Përveç përsëritjes së nevojës për të zbatuar një zgjidhje me dy shtete, zoti Xi ka vlerësuar përpjekjet e Egjiptit për të ndihmuar në shtensionimin e situatës dhe tha se Pekini “është i gatshëm të forcojë koordinimin me Egjiptin dhe shtetet tjera arabe” për të lehtësuar gjetjen e “një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme për çështjen palestineze sa më parë.”

Konflikti filloi kur grupi militant palestinez Hamas ndërmori një sulm të befasishëm ndaj Izraelit më 7 tetor, duke lënë 1,400 të vdekur dhe rrëmbyer rreth 200 qytetarë izraelitë në Gaza. Izraeli po hakmirret me sulm ajrore kundër shënjestrave nëpër Gaza që kanë lënë të paktën 3,500 palestinezë të vrarë.

Kina e moderuar me Hamasin

Kina ka hezituar të dënojë publikisht Hamasin për sulmin ndaj Izraelit, gjë që u kritikua nga Jeruzalemi dhe Washingtoni. Ndërkohë që ushtria izraelite intensifikoi sulmet ajrore ndaj Gazës, Pekini ka ashpërsuar kritikën ndaj Izraelit, duke thënë se veprimet izraelite po tejkalojnë ato të vetëmbrojtjes.

Disa ekspertë besojnë se hezitimi i Pekinit për të dënuar Hamasin lidhet me përpjekjet e zyrtarëve kinezë për të shmangur dëmtimin e marrëdhënieve të tyre të thelluara me vendet e tjera të Lindjes së Mesme.

“Kina ka bërë përafrim të rëndësishëm (në Lindje të Mesme) që kur Washingtoni përgjithësisht u tërhoq nga Lindja e Mesme dhe kinezët nuk duan të ofendojnë botën arabe,” thotë Dennis Wilder, i cili kishte shërbyer si drejtor i Këshillit të Sigurisë Kombëtare gjatë administratës së Presidentit amerikan George W. Bush.

Meqë Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë garantues i sigurisë për shumicën e vendeve në Lindje të Mesme, zoti Wilder tha se Kina është në një pozitë komode që i lejon të “bëjë thirrje për paqe” pa pasur nevojë të marrë përgjegjësi për zhvillimet në rajon.

“Ideja e Kinës si një ndërmjetës në këtë situatë nuk përputhet me realitetin,” i tha ai Zërit të Amerikës.

Muajt e fundit, Kina është përpjekur ta paraqesë veten si ndërmjetëse në Lindjen e Mesme. Në mars, Kina ndërmjetësoi një marrëveshje ndërmjet Arabisë Saudite dhe Iranit, që u mundësoi rivalëve rajonalë të rivendosin marrëdhënie diplomatike dhe të rihapin ambasadat.

Më pas në muajin prill, ish Ministri i jashtëm kinez Qin Gang u tha homologëve të tij izraelitë dhe palestinezë se Pekini ishte i gatshëm të ndihmojë në ndërmjetësimin e bisedimeve paqësore ndërmjet dyja palëve.

Përveç deklaratës së zotit Xi, i dërguari i posaçëm i Kinës për Lindjen e Mesme, Zhai Jun, që nisi udhëtimin e tij në Lindje të Mesme dhe u takua me zëvendës-ministrin e jashtëm rus Mikhail Bogdanov në Katar të enjten, tha se Pekini është i gatshëm të “komunikojë dhe të koordinohet” me Moskën për të ulur tensionet në rajon “sa më parë që të jetë e mundur.”

Takimi u mbajt një ditë pasi Presidenti Xi takoi Presidentin rus Vladimir Putin krahas takimit të nismës Një Brez, Një Rrugë në Pekin. Përveç rikonfirmimit të marrëdhënieve dypalëshe, Xi dhe Putin patën “një shkëmbim të hollësishëm qëndrimesh” mbi situatën palestinezo-izraelite, sipas një njoftimi zyrtar të Ministrisë së Jashtme kineze të mërkurën.

Që kur Izraeli intensifikoi sulmet ajrore ndaj Gazës, Kina dhe Rusia vazhdimisht kanë apeluar për armëpushim dhe nuk kanë dënuar Hamasin. Megjithatë, disa analistë thonë se nuk bëhet fjalë për përafrim të qëllimshëm qëndrimesh për konfliktin që po përshkallëzohet, por se koordinimi ndërmjet Pekinit dhe Moskës është “rastësor”.

“Do ta përshkruaja këtë situatë si një përpjekje nga Kina dhe Rusia për t’iu përgjigjur luftës ndërmjet Izraelit dhe Hamasit pavarësisht qëndrimit të njëra-tjetrës, por përpjekjet e tyre rastësisht po përputhen,” tha analistja politike Wen-ti Sung nga Universiteti Kombëtar Australian.

“Kina nuk do që të krijohet përshtypja se i duhet ndihma e Rusisë për të udhëhequr,” i tha ekspertja Sung Zërit të Amerikës.

Ndikimi i kufizuar i Kinës në Lindje të Mesme

Ndërkohë që i dërguari i posaçëm i Kinës Zhai vazhdon vizitën në Lindje të Mesme, zoti Wilder, i cili tani është ekspert pranë Nismës për Dialogun SHBA-Kinë mbi Çështje Globale në Universitetin Georgetown, thotë se Pekini nuk ka pak gjasa të luaj rol aktiv në uljen e tensioneve në Lindje të Mesme.

“Kina mund t’u ofrojë palëve mundësinë të bisedojnë nëse dëshirojnë dhe ka marrëdhënie që mund të jenë të dobishme,” i tha ai Zërit të Amerikës. “Por, Kina duhet të dojë t’i ndërmarrë këto veprime. Nuk mendoj se do të përdorin ndikimin që kanë në Lindje të Mesme në mënyrë efektive.”

Ndonëse Kina është e vetëdijshme për ndikimin e saj të kufizuar në luftën ndërmjet Izraelit dhe Hamasit, zonja Murphy tha se parashikimi i saj është që Pekini mund të tregojë interesim në përpjekjet për të dërguar ndihmën humanitare.

“Ka gjasa të shohim angazhim rreth asaj çështje,” i tha ajo Zërit të Amerikës, duke shtuar se vullneti i palëve të përfshira në konflikt mund të përcaktojë llojin e rezultateve që Kina mund t’i arrijë./VOA/

/GazetaSinjali/