U nënshkruan më 26 nëntor të vitit të kaluar marrëveshjet e përbashkëta në mes Kosovës dhe Shqipërisë, por kjo e fundit ka filluar që t’i implementojë tani.
Në mbledhjen e Qeverisë, Këshilli i Ministrave të Shqipërisë, ka marrë vendim që t’i propozojë Kuvendit të Shqipërisë projektligjin për zbatimin e lehtësirave të ndërsjella në procedurat doganore dhe të kontrollit të hyrje-daljes së mallrave.
“Sot kjo marrëveshje shkon në parlament dhe do të lehtësojë marrëdhënien e ndërsjellët dhe tregtinë ndërmjet dy vendeve tona, duke njohur të gjitha licencat dhe agjencitë doganore që ndodhen në kufi. Të dy vendet do të njohin kontrollet e vetëm një vendi duke ulur kohën e kontrollit doganor. Marrëveshja parashikon çeljen e pikës doganore të Kosovës në portin e Durrësit dhe të gjitha lehtësirat që kjo pikë do të sjelli dhe do të njohë disa protokolle të cilat do t’i hapin rrugën të tjerave”, deklaroi pas mbledhjes së qeverisë ministrja e Financave e Shqipërisë, Delina Ibrahimaj.
Hapja e pikës doganore të Kosovës, në portin e Durrësit ndodh për herë të dytë.
Tre vjet më parë, më 15 janar të vitit 2019, është hapur në Portin e Durrësit zyra Doganore e Kosovës, ndërkohë që një zyrë e tillë është hapur edhe në Porto Romano që do të shërbente për karburantet. /GazetaSinjali/