image Përse bashkëpartiaku i Angela Merkelit i fyen burrat në moshë?

Gjermani/ Përse bashkëpartiaku i Angela Merkelit i fyen burrat në moshë?

news image

Situata politike në Gjermani është trazuar fort pasi CDU humbi një bastion të saj në lindje, duke u renditur forcë e tretë pas ekstremistëve fashistë të AfD. Friedrich Merz, dikur pretendent për të drejtuar CDU-në, ka nisur sulmet ndaj kancelares Angela Merkel. Por kundër tij kanë dalë disa politikanë vendorë, që e etiketojnë si ‘plak’. Gazeta BILD u përgjigjet atyre

Në zgjedhjet për landet të dielën, AfD mori në Thyringi shumicën e votave te moshat nën 60 vjeç. Te të gjitha. Vetëm grupi i votuesve mbi 60 vjeç pengoi një triumf total dhe të turpshëm të fashistit Bjoern Hoecke. Nga votuesit mbi 60 vjeç, ai mori vetëm 16 përqind.

Por në vend që të theksonte këtë edhe njëherë, Daniel Guenther, 46 vjeç, kryeministri i Shlesvig Holshtajn për CDU, po fyen burrat në moshë.

Arsyeja është se ish-drejtuesi i grupit parlamentar të CDU, Friedrich Merz, 63 vjeç, ka kritikuar ashpër koalicionin e madh në Berlin pas zgjedhjeve të humbura. “E gjithë panorama është e tmerrshme. Ngjan si një qillim mjegulle që Angela Merkel (65 vjeç) ka shtruar mbi vend me mosveprimet dhe mungesën e udhëheqësisë. Kështu nuk mund të vazhdohet më”.

Por kryeministri Guenther reagoi: “Unë besoj se janë disa pleq, të cilët mbasi nuk kanë arritur në jetën e tyre atë që donin, duan të përfitojnë nga rasti për të zgjidhur llogaritë e vjetra”.

Hej! Çfarë është kjo? Të moshuar? Unë si 66-vjeçar pyes veten se ç’lidhje ka mosha me një debat politik. Për më tepër në një parti, super-babai i së cilës, Konrad Adenauer, u zgjodh kancelar në moshën 73 vjeç. Dmth kjo do të thotë se Merz duhej t’i kishte thënë këto gjëra para 20 vitesh? Tani që është 63 vjeç, nuk i lejohet?

Gazeta ‘Handelsblatt’ ka nisur që tani të shkruajë për diskriminim me bazë moshën. “Politika ka vendosur që njerëzit duhet të punojnë deri 67 vjeç. Por politikisht duhet të jenë të paaftë. Kështu mund të lexohen komentet e Guenther”.

Po çfarë mund të thuhet për të rinjtë që ndajnë mendimin e Merz? Tim Kuban i të rinjve, apo shefi i CDU në Meklenburg, Kokert, që mendon se rezultatet e koalicionit të madh janë të këqija.

‘Popullit’ i duket sikur Merz u flet më shumë nga zemra se vetë kryetarja e CDU, Annegret Kramp-Karrenbauer. 16 përqind e gjermanëve dhe 29 përqind e CDU e preferojnë atë si kandidat për kancelar. Sipas sondazheve, kryetarja Annegret Kramp-Karrenbauer merr vetëm 4 përqind mbështetje nga të gjithë të pyeturit dhe 9 përqind nga CDU/CSU.

Guenther ka thënë gjithashtu: Të moshuarve u dëgjohet fjala vetëm për të prodhuar një titull të madh në media, por jo kur duhet të dalin në terren. Në terren? Merz ka bërë dhjetë dalje në fushatë në landet e reja. Kancelarja nuk u pa kund.

Dhe pikërisht atje, në Lindje, kandidatët e rinj të CDU kanë pësuar një humbje brutale. Ingo Senftleben (45 vjeç) në Brandenburg: minus 7.4 përqind. Michael Kretschmer (44 vjeç) në Saksoni: minus 7.3 përqind. Mike Mohring (47 vjeç) në Thyringi: minus 11.7 përqind.

Ndoshta duhet t’i lini më shumë të moshuarit që të garojnë! / Alfred Draxler, BILD