image Gjermania tërheq shumicën e trupave nga Iraku

Botë

Gjermania tërheq shumicën e trupave nga Iraku

news image

Gjermania planifikon ta mbyllë deri në fund të shtatorit kampin e saj ushtarak pranë aeroportit të Erbilit, në veri të Irakut, dhe të tërheqë shumicën e trupave të dislokuara atje, raportoi revista gjermane Der Spiegel.

Sipas raportimit, Ministria gjermane e Mbrojtjes i ka njoftuar komisionet përkatëse të parlamentit për vendimin që lidhet me mbylljen e kampit.

Baza ushtarake është përballur me kërcënime të vazhdueshme gjatë muajve të fundit, ndërsa situata e sigurisë është përkeqësuar pas sulmeve të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Iranit.

Edhe pse forcat gjermane nuk ishin shënjestër e drejtpërdrejtë e sulmeve iraniane me raketa dhe dronë, afërsia e tyre me njësitë amerikane i detyroi ushtarët të kalonin disa netë në bunkerë.

Zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes, Christiane Noack, konfirmoi se parlamenti ishte informuar, por nuk dha hollësi të tjera për afatin dhe mënyrën e tërheqjes, duke u thirrur në sigurinë e trupave.

“Kjo do të jetë një çështje planifikimi të detajuar, nuk bëhet fjalë për një tërheqje të nxituar”, deklaroi Noack në një konferencë për media në Berlin.

Ajo shtoi se për çdo mision ekziston një strategji daljeje dhe se hapat e ardhshëm po planifikohen në koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.

Sipas Ministrisë gjermane të Mbrojtjes, një ekip më i vogël këshilltarësh ushtarakë do të vazhdojë të qëndrojë në rajon.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/