Kryeministri i Hungarisë, Péter Magyar, ka njoftuar se do t’i propozojë legjendës së shahut, Judit Polgár, që të marrë detyrën e presidentes së vendit deri në miratimin e kushtetutës së re.
Në një postim në Facebook, Magyar tha se do të takohet me Polgár të hënën për ta pyetur nëse është e gatshme të shërbejë në këtë rol.
“Vendi ynë ka nevojë për unitet, paqe dhe një presidente për të cilën çdo hungarez mund të ndihet krenar. Presidenca nuk është një profesion apo një vend pune, por forma më e lartë e shërbimit ndaj shtetit”, shkroi ai.
Judit Polgár konsiderohet shahistja më e suksesshme në historinë e këtij sporti. Ajo është e vetmja grua që ka kaluar pragun prej 2700 pikësh Elo, ka kryesuar renditjen botërore të femrave për 26 vite radhazi dhe ka arritur deri në vendin e tetë në renditjen e përgjithshme botërore. Gjithashtu, është fituese e shumë medaljeve në Olimpiadat e Shahut dhe njihet ndërkombëtarisht për arritjet e saj.
Sipas kryeministrit, respekti që gëzon Polgár nuk lidhet me politikën, por me talentin, punën dhe integritetin e saj.
Emri i saj kishte nisur të përflitej si kandidate për presidente që në fillim të korrikut, pasi Magyar publikoi një fotografi ku shfaqej duke luajtur shah me të.
Zhvillimi vjen pasi presidenti Tamás Sulyok njoftoi se do të nënshkruajë amendamentin e 17-të të Kushtetutës, duke i dhënë fund mandatit të tij. Deri në zgjedhjen e presidentit të ri, detyrën do ta ushtrojë për një muaj kryetarja e Parlamentit, Ágnes Forsthoffer.
Ndërkohë, 16 personalitete të njohura nga fusha e shkencës, kulturës dhe sportit kanë mbështetur publikisht kandidaturën e Judit Polgár për presidente të Hungarisë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!